Luzha: Mohimi i gruas është mohim i gjysmës së kapaciteti shoqëror

Analistja politike, Besa Luzha, ka qenë një nga panelistet e sotme në Info Magazine të Klan Kosovës ku është folur për barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e gruas në politikë e në pozita kyçe në shoqëri.

Lajme

10/11/2017 19:19

Sipas Luzhës, është tepër e nevojshme të ketë barazi gjinore pasi nëse mohohet gruaja në politikë dhe fusha të tjera, atëherë është mohim i gjysmës së shoqërisë kosovare.

“Nëse mohohet gruaja, është mohim i gjysmës së kapacitetit që e ke në shoqëri. Në bazë të studimeve, nëse gruaja angazhohet atëherë kemi rezultate shumë të mira. Specialistet duhet të inkuadrohen në politikë në mënyrë që t’i shtyjnë gjërat përpara”, pohoi Luzha.

Ajo ka shtuar se gjërat duhet të saktësohen me ligj, pasi s’bën të lihen vetëm në vullnetin e mirë të njerëzve.

“Nëse e lëmë gjithçka në vullnet të mirë, askush nuk do ta ndajë pushtetin me dikë, prandaj është çështje e ndjeshme, pasi pjesëmarrja përkthehet në ndarje të pushtetit”.

“Arsyeja e shumë situatave kur ka dhunë në familje është për shkak se sadopak gruaja kërkon hisen në pushtetin brenda shtëpisë, aty krijohet thyerja e parë”.

“Edhe tek partitë, nëse e presim vetëm vullnetin, gjithmonë do të gjenden arsyetime”.