Lunacek kërkon hetim ndaj EULEX-it

Nënkryetarja e Parlamentit Europian (PE), Ulrike Lunacek ka kërkuar që të formohet një trup i pavarur i cili do të fillonte hetime për akuzat që ka ngritur prokurorja e EULEX-it Maria Bamieh, lidhur me ryshfetet që pretendohet se i kanë marr gjykatësit dhe prokurorët e këtij misioni dhe për të parë se përse është pezulluar ajo nga puna. 

Lajme

31/10/2014 12:46

Ish raportuesja për Kosovën në PE, në një deklaratë ka thënë se akuzat e ngritura nga Bamieh po e prishin imazhin e misionit të EULEX-it.

“Argumentet e prokurores Maria Bamieh, janë duke hedhur një hije të errët në imazhin e EULEX-it”.

Ajo ka thënë EULEX është misioni më i madh dhe më rëndësishëm i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, dhe për këtë arsye, ajo thotë se “me këtë është vë në pikëpyetje e gjithë politika e jashtme dhe sigurisë  në BE”, transmeton lajmi.net.

“Ky rast duhet të sjellë një auditim të ri të EULEX-it me rikonfigurim dhe ripërcaktim eventual të mandatit të tërë misionit; duhet t’i kushtohet vëmendje e duhur kritereve të përzgjedhjes së personelit si të EULEX-it ashtu edhe të misioneve të ardhshme të BE-së në vendet e treta”.

“Edhe më shqetësuese janë akuzat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës lidhur me presionin e mundshëm nga zyrtarët e EULEX-it ndaj gazetarit të gazetës Koha Ditore për të ndaluar atë në raportimin e skandalit; kjo është e papranueshme dhe e pashpjegueshme; nëse ky presion konfirmohet atëherë zyrtari i BE-së duhet që të largohet nga puna”.

“Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, Mogherini, duhet që të vijë në Parlamentin Evropian dhe të raportojë për rastin e EULEX-it dhe të jetë i shoqëruar nga Shefi i Misionit të EULEX-it Gabriele Meucci; lidhur me këtë, Moghergini duhet që të sqarojë nëse spekulimet se ish shefi i EULEX-it Brochard ka qenë i në dijeni për hetimet dhe është tërhequr për nga kjo edhe përkundër që mandati i tij është zgjatur nga Catherine Ashton”.

“Unë kam kërkuar nga Komiteti për Marrëdhënie të Jashtme që të trajtojë sa më shpejtë këtë çështje; ky komitet së bashku me Komitetin për Kontroll të Buxhetit dhe Nën-Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje duhet që urgjentisht të krijojnë një grup monitorues që do ta përcjellë nga afër këtë çështje, me mundësinë që të ketë qasje në të gjitha dokumentet relevante”,  ka thënë Lunacek. (lajmi.net)