Luhatjet e çmimit të naftës: Hajdari me vendim përcakton marzhat e fitimit
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka nënshkruar sot vendimin për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës. Me këtë vendim është caktuar që marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër, dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është…
Lajme
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka nënshkruar sot vendimin për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.
Me këtë vendim është caktuar që marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër, dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.
Vendimi i plotë:
Ky vendim ka për qëllim parandalimin e çrregullimit në treg me çmimet e naftës, sidomos gjatë muajit të festave të fundvitit, kur bashkatdhetarët tanë janë të pranishëm në ATDHE, e gjithashtu me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës, si dhe për të mënjanuar çrregullimet tjera në treg.
Nga monitorimi i rregullt i tregut të produkteve të naftës përmes Inspektoratit Qendror të Tregut/ MINT, me evidencë ditore për çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës/ MFPT, lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës, është evidentuar mospërshtatje e çmimeve vendore krahasuar me lëvizjet e mëdha me ulje të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse në këtë vendim.
Me këtë vendim:
– marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër, dhe
– marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.
Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtrishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse.
Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.