Lufta e drejtë e Perëndimit për Kosovën

Okupimi i Kosovës nga Serbia ka nisë me krime, në atë vjeshtën e vitit 1912-të, dhe ka marrë fund me krime, në pranverën e vitit 1999-të.

Opinion

24/03/2019 14:53

Ka ngjarje të mëdha historike të cilat politika nuk mund t’i ndryshojë, pa marrë parasysh se çfarë ndodhë më pas, apo, çfarë rrjedhe merr një politikë.

Këto ngjarje pra kanë një vlerë të pakontestueshme, e cila asnjëherë nuk mund të vihet në dyshim.

E tillë është Lufta e Dytë Botërore, për shembull. Vulën e krimit të madh dhe të turpit të përjetshëm kanë marrë Kampet e Përqendrimit, por edhe të gjitha tragjeditë e shkaktuara në ato gjashtë vitet e luftës së madhe, me adresë shumë të qartë të përgjegjësisë historike, politike, ligjore, morale.

E tillë, gjithsesi, është edhe Lufta në Kosovë, në vitet 1998, 1999, që arriti pikën e saj më të lartë me fushatën 11 javore të Aleancës Veri-Atlantike që nisi me 24 mars, të vitit 1999-të, në orët e mbrëmjes, apo, pikërisht njëzet vjet më parë.

Ishin të ndarë, në mënyrën më kategorike të mundshme, ata që ishin në anën e drejtë, në këtë luftë tragjike, dhe ata që ishin në anën e gabuar.

Mbase, në këtë luftën e katërt që kishte përcjellë zhbërjen e ish-RSFJ-së dhe krijimin e shteteve të reja në atë hapësirën e dikurshme të përbashkët politike dhe shtetërore, në atë harkun kohor prej qershorit të vitit 1991 deri në qershorin e vitit 1999-të, lufta e Kosovës ka qenë më e qarta kur bëhej fjalë për përgjegjësinë e një shteti dhe një pushtetit  (të Serbisë dhe të pushtetit të saj), për shpërthimin e një lufte.

Për më shumë, dihet që ky pushtet, me Sllobodan Millosheviqin në krye si një lider të pakontestueshëm të Serbisë në dymbëdhjetë vitet e mëparme  (që prej vitit 1987-të), kishte refuzuar të pajtohej me Marrëveshjen e Rambouilletit  (shkurt, mars, 1999), e cila i jepte fund luftës, dhe ofronte një paqe të garantuar nga 25 mijë ushtarë të Paktit NATO.

Me këtë kundërshtim të tij, në realitet, ishte Millosheviqi ai që nisi luftën me Paktin NATO.

Ishte i gatshëm pra të luftojë me gjithë Perëndimin, e të mos hiqte dorë nga Kosova, apo nga vendi i krimeve të njëpasnjëshme të të gjitha pushteteve të Serbisë, në periudhën prej vjeshtës së vitit 1912-të, deri në pranverën e vonë të vitit 1999-të.

Okupimi i Kosovës nga Serbia ka nisë me krime, dhe ka marrë fund me krime ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë histori tjetërfare të fatit të popullit shqiptar në Kosovë, në atë shekullin e gjatë të okupimit të Serbisë.

Sikurse që nuk ka dhe nuk mund të ketë histori ndryshe, (‘alternative’), të kobit të popujve evropianë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Njëzet vjet pas përfundimit të kësaj lufte, në vitin 1965-së, në politikën dhe mediat e Gjermanisë Federale, ka qenë absolutisht e qartë se çfarë ka ndodhë në Luftën e Dytë Botërore.

Për më shumë, kjo Gjermani e re, së bashku me Francën dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimit, pati bërë zotimin, përmes një bashkëpunimi dhe miqësie të paparë në historinë evropiane, që kurrë më të mos ketë luftë në Evropën Perëndimore.

Bashkimi Evropian dhe Pakti NATO janë garanca sipërore të këtij zotimi.

Njëzet vjet pas fillimit të fushatës së Paktit NATO, në politikën dhe mediat në Serbi  (me përjashtime shumë të rralla, që mund të numërohen me gishta dore), po ndodhë përpjekja që gjithsesi është e paracaktuar për dështim, e revidimit dhe e ndryshimit të ngjarjes madhore të pranverës së vitit 1999-të.

Askund nuk përmenden krimet e rënda që ishin bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Askund nuk sheh një shenjë më të vogël të pendesës për këto tragjedi të shkaktuara viteve të luftës. E lëre më gatishmëri për kërkim faljeje.

Sikur dikush në Perëndim, në kryeqendrat politike të tij, para dy decenieve, do të thoshte që Kosova dhe Serbia nuk do të pajtoheshin, si shtete, dhe si popuj, edhe njëzet vjet pas kësaj lufte, pakkush do të ishte i gatshëm të dakordohej me këtë parashikimin e tij.

Ky është realiteti.

Edhe këtu, dihet fare mirë se kush nuk ka dashtë Marrëveshjen e cila do t’i jepte fund një herë e përgjithmonë konfrontimit të madh historik dhe politik në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kosova ka qenë gati për këtë Marrëveshje.

Sidoqoftë, në këtë ditë kur shënojmë njëzet vjetorin e fillimit të luftës së Paktit NATO për shpëtimin e këtij vendi dhe këtij populli, duhet thënë që ne do ta kujtojmë përjetë këtë luftë të cilës i priu SHBA-ja me aleatët e saj në Aleancën Veri-Atlantike.

Po ashtu, ne shqiptarët e Kosovës kurrë nuk mund t’i harrojmë gjithë ato vuajtje, gjithë atë pikëllim, gjithë atë tragjedi të cilën e përjetuam në luftën e viteve 1998, 1999.

(Autori është kolumnist i rregullt i Lajmi.net)