Lokalizohen mbetjet mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas gërmimeve dhe zhvarrimeve për 2 ditë, janë lokalizuar mbetjet e tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo ka bërë të ditur se mbetjet mortore janë dërguar në IML për ekzaminime të mëtejshme dhe për identifikim. “Pas dy ditëve të operacioneve…

Lajme

15/05/2025 17:36

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas gërmimeve dhe zhvarrimeve për 2 ditë, janë lokalizuar mbetjet e tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ajo ka bërë të ditur se mbetjet mortore janë dërguar në IML për ekzaminime të mëtejshme dhe për identifikim.

“Pas dy ditëve të operacioneve të gërmimit dhe zhvarrimit në Prishtinë, ekipet mjekoligjore të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe EULEX, me mbështetjen e Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës dhe Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, kanë lokalizuar mbetjet mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme dhe procesin e identifikimit.”

Haxhiu ka shtuar se aktivitetet në kuadër të kërkimit të personave të zhdukur do të vazhdojnë në lokacione të tjera gjatë javëve në vijim.

“Ky rezultat është arritur falë një pune të gjatë dhe të koordinuar analitike nga institucionet përkatëse, si dhe mbështetjes së vazhdueshme të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Aktivitetet në kuadër të kërkimit të personave të zhdukur do të vazhdojnë në lokacione të tjera gjatë javëve në vijim.”