Lojtarët e Manchester City janë ata që kanë dominuar verën

Lojtarët e skuadrës së Manchester City janë ata që kanë dominuar botën e futbollit gjatë stinës së verës.

Sport

21/07/2019 13:32

‘Citizens’ e përfunduan sezonin me tri trofe të fituara, të gjitha brenda shtetit të Anglisë, duke fituar Kupën FA, Kupën e Ligës dhe Premierligën.

Por, lojtarët e kësaj skuadre nuk kanë ndalur sukseset as gjatë verës, duke triumfuar me kombëtaret e tyre në garat e Ligës së Kombeve, Kupës së Amerikës e Kupës së Afrikës, shkruan lajmi.net.

Në Kupën e Amerikës, ishin tre lojtarë të Manchester City që fituan trofeun me kombëtaren e Brazilit; Fernandinho, Gabriel Jesus e Ederson.

Në kontinentin e Evropës, ishte ylli portugez, Bernardo Silva, i cili me Portugalinë fitoi Ligën e Kombeve, kompeticion ku u shpall edhe lojtari më i mirë, duke lënë prapa shokun e skuadrës kombëtare, Cristiano Ronaldo.

Suksese të mëdha korri edhe Riyad Mahrez, i cili priu kombëtaren e Algjerisë drejt triumfit në Kupën e Afrikës, që ishte trofeu i parë pas 29 viteve për kombëtaren e tij.

Lojtarët e Guardiolas nuk kanë lëshuar ritmin e tyre, dhe ata shihen si favorit edhe për edicionin e ardhshëm që të dominojnë në futbollin anglez, e pse jo edhe në atë evropian. /Lajmi.net/