Loja e frikshme e ministrisë për tenderin e sinjalistikës

Organi Shqyrtues i Prokurimit, ndryshe njihet edhe si “Gjykata e tenderëve”, por ky institucion që ka edhe fuqi të ndëshkimit për prokurimet e institucioneve publike nuk po arrin ta bind Ministrinë e Infrastrukturës që të vërë ligjshmëri në tenderin Sinjalizimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës.

Lajme

07/03/2020 10:42

Pasi i shpalli dhe i anulojë disa herë vendimet e veta për një pjesë të këtij tenderi, tash ka hyrë në një loje me Organin Shqyrtues të Prokurimit nga e cila nuk po del dot, shkruan lajmi.net.

Disa herë ky aktivitet i prokurimit shkoi në OSHP për gjykim ngase u përzgjodhën kundërligjshëm kompanitë për të realizuar pjesën e dytë dhe të tretë të tenderit.

Muajve të fundit, konkretisht në dy vendimet e fundit, prokurimi i ministrisë po nxjerrë vendime që të anulojë krejt aktivitetin e prokurimit për këto dy pjesë, me arsyetimin se janë bërë disa gabime në dosjen e tenderit. Në të dy rastet e fundit OSHP-ja ka vërtetuar se vendimet janë të kundërligjshme

Para pak ditëve, ministria ka vendosur që ta anulojë në tersi këtë aktivitet të prokurimit.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit anulon këtë aktivitet të prokurimit. Pas hapjes se tenderëve një shkelje e LPP-së ka ndodhur apo do të ndodhë në procedurën e prokurimit, e  cila nuk mund të rregullohet apo parandalohet përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit. Me datë 01.08.2017 është publikuar njoftimi për kontratë, ndërsa me datë 21.08.2017, 31.08.2017, 04.09.2017, 07.09.2017 dhe 11.04.2018 është bërë korrigjimi i njoftimit për kontratë, mirëpo dosja e tenderit nuk është korrigjuar asnjëherë”, thuhet në pjesën hyrëse të vendimit për anulim të këtij aktiviteti të prokurimit.

Ky vendim i prokurimit të ministrisë erdhi pasi ministria procedoi në mënyrë identike kur u urdhëruar që këtë aktivitet të prokurimit ta kthejë në rivlerësim.

Vendimi i fundit i panelit të OSHP-së i cili përmban 48 faqe e ka urdhëruar ministrinë që ketë aktivitet të prokurimit ta kthejë në rivlerësim, pasi është konstatuar se përsëri janë bërë të njëjta shkelje të ligjit. “Paneli Shqyrtues duke u bazuar në shkresat e lëndës të cilat i ka pasur në dispozicion si dhe sqarimet e ekspertit profesional të prokurimit, vjen në përfundim se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i ofertave nuk është bërë konform nenit 59 të LPP-së dhe njëkohësisht obligon AK-në që gjatë ri-vlerësimit të ofertave të veproj konform nenit 59.2 dhe 72 të LPP-së. Për më tepër, AK me rastin e anulimit të këtij aktivitetit të veprimit ka vepruar në kundërshtim me nenin 62 të LPP-së, andaj AK obligohet të veproj konform kërkesave të dosjes se tenderit dhe njoftimit për kontratë, t’i marr në konsideruat sqarimet e dhëna në vendimet e më hershme të panelit shqyrtues, sqarimet e ekspertit profesional të prokurimit, si dhe të vlerësoj drejt ofertat e operatorëve ekonomik”, thuhet në vendimin e fundit të OSHP-së.

Këtij vendimi, sikurse edhe paraprakut, ministria iu përgjigje me mospërfillje, duke e anuluar krejt tenderin.

Por, me këtë vendim të ministrisë, sikurse herët e kaluara nuk janë pajtuar disa kompani, andaj kanë bërë ankesë për rishqyrtim tek ministria.

Sot me datë 3 mars, ministria ua ka hedhur poshtë ankesën dhe e la në fuqi vendimin e vetë. Lajmi.net ka mësuar se kompanitë përsëri do të ankohen në OSHP me të njëjtin arsyetim, sikurse dy herët e kaluara, dhe OSHP-ja pritet që të nxjerr vendimin e njëjtë, ani pse mund të aplikojë masë ndëshkimore ndaj AK-së për mos përfillje të urdhëresave të saj.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga zyra për informim dhe sekretari i ri i MIT lidhur me atë se a është marrë ndonjë masë ndaj zyrtarëve të prokurimit të cilët kanë lëshuar disa vendime kundërthënëse për këtë tender, dhe se si do të do të dilet nga kjo situatë në mënyrë që të realizohet tenderi, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Me 21 gusht të vitit 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit hapi tender për sinjalizimin dhe mirëmbajtjen e pasjeve në rrugët e Kosovës. Mirëpo, dy pjesë të tenderit (lot 2 dhe 3) që nga ajo kohë nuk u realizuan asnjëherë, ngase zyra e prokurimit të ministrisë bëri shumë shkelje. Kësisoj për rreth 700 kilometra rrugë që janë në përgjegjësi të ministrisë nuk ka kontratë për mirëmbajtje të sinjalistikës.

Shkeljet e një pas njëshme

I gjithë tenderi, me të gjitha lotët kap vlerën e rreth 2.2 milionë eurove për një vit. Derisa pjesët tjerat të tenderit ishin realizuar me suksese nga Ministria. Më datë 06.04.2018, Zyra e Prokurimit të MIT-së e kishte shpallur fitues për dy lote kompaninë “Select Prima”, për lot 2, lot 3.

Më pas ka pasur ankesa vazhdimisht në OSHP për lot 2 dhe 3. OSHP kishte marrë vendim që tenderët të ktheheshin në rivlerësim, pasi kishte miratuar ankesat e kompanive ankuese duke konstatuar kështu shkelje të ligjit. Ministria e kishte zbatuar këtë vendim dhe më 20.06. 2018, për lot 2 përsëri e kishte shpallur fitues “Selct Prima”, ndërsa për lot 3, grup i Operatorëve Ekonomik: “Arbotec” SH.P.K.; N.P.G. “Malsija”.

Përsëri ka pasur ankesa në OSHP nga kompanitë ankuese me të njëjtat pretendime për shkelje të ligjit dhe si rrjedhojë Ministria nuk ka mundur të nënshkruaj kontratën, pasi lënda ka përfunduar në OSHP. Ky organ ka konstatuar shkeljet e njëjta dhe ka lëshuar urdhëresë që të zbatohet vendimi i vet. Ministria e ka anuluar njoftimin e vetë dhe ka mbajtur në rivlerësim tenderin për 4 muaj për lot 2 dhe 3. Më datë 24.08. 2018, ka bërë njoftim për ‘dhënie të kontratës’, pasi e kishte rivlerësuar tenderin, dhe përsëri i kishte shpallur “Select prima” fitues për lot 2 dhe për lot 3 grupin e operatorëve ekonomik “Arbotec” SH.P.K.; N.P.G. “Malsija”.

Përsëri ka pasur ankesa nga kompanitë për shkelje të njëjta. Dhe përsëri OSHP-ja ka marrë vendim të njëjtë, që lënda të kthehet në rivlerësim dhe mos të shpërblehen me kontratë ato kompani për lot 2 dhe 3, pasi ishin të pa përgjegjshme.

Në fillim të muajt prill, Ministria ka lëshuar njoftim për ‘anulimin e aktivitetit të prokurimit’ për lot 2 dhe lot 3, me arsyetimin se nuk ka asnjë ofertë të përgjegjshme, ani pse disa herë kishte shpallur fituesit duke i cilësuar kompanitë si të përgjegjshëm. Tash, Ministria e ka përdorur të njëjtin arsyetim sikurse të kompanive ankuese kur e ka eliminuar nga gara kompaninë “Select Prima” për lot 2 dhe “Arbotec” & “Malsija”.

Asnjëra prej kompanive nuk është pajtuar që të anulohet tenderi dhe përsëri janë ankuar në OSHP. Më 19 qershor OSHP-ja ka aprovuar ankesat e kompanive dhe e ka urdhëruar Autoritetin Kontraktuese që ta anuloi njoftimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimi dhe lënda të kthehet në rivlerësim, kundruall vendimeve të më hershme të OSHP-së, pasi konsideronte se nuk janë krijuar kushtet që të anulohet i tërë proces, ka konsideruar se ka bazë ligjore për të shkuar më tutje.

Ministria vendosi që ta zbatojë këtë vendim që lenden ta kthejë në rivlerësim. E mbajti disa muaj në rivlerësim tenderin. Fillimisht, kërkoi zgjatje të validitetit të ofertave si një kategori ligjore. Ndërsa më datën 15. 11. 2019, zyra e prokurimit të MIT doli me njoftimin për dhënie të kontratës, ku shpalli fitues kompanitë “Sinjal RKS”, e cila është në konzorcium me kompanitë nga Shqipëria “IDK Kondtruksion & 2T”.

Disa herë kompani e pa përgjegjshme, mandej e përgjegjshme

Në të gjitha rivlerësimet tjera për këtë tender për lot 2 dhe lot 3, komisioni i ministrisë e kishte shpallur si të pa përgjegjshme ofertën e kompanisë “Sinjal RKS”.

Për shembull, në vendimin e datës 08.04. 2019, kur e kishte shpallur si të pa përgjegjshme këtë ofertë, kishte shkruar se hedhet poshtë oferta e tyre pasi që “Në dosjen e tenderit tek Fleta e të dhënave Neni 13.1 është kërkuar, sigurimi i tenderit sipas Rregullores dhe Udhëzuesit Operativ Neni 39. Sqarimi i Tenderëve. Nëse Sigurimi i tenderëve nuk përmban kushtet e përcaktuar sipas formës standarde pjesa e Dosjes së Tenderit, Refuzo tenderin pa kërkuar informacione të mëtutjeshme.”

Edhe në vendimin datës 16. 07. 2019, Ministria i kishte vlerësuar përsëri të gjitha ofertat si të pa përgjegjshme. Ndryshe nga hera e kaluar, me pas kishte dhënë një arsyeje shumë më të fuqishme kur e kishte anuluar ofertën e “Sinjal RKS”. Komisioni i ministrisë kishte vlerësuar se kjo kompani ka ofruar çmime manipulative, në pjesën e 2 pozicioni 1.1 ka ofruar çmim 0.80 euro, 1.2 ka ofruar çmim 0.80 euro dhe pjesa 3, pozicioni 1.1 ka ofruar çmim 1.10 euro, 1.2 ka ofruar çmim 1.10 euro, gjithashtu në pjesën 2 në pozicionin 1.4 ka ofruar çmim 0.15 euro, etj.

Kohë më parë lajmi.net kishte kërkuar informacione nga MIT lidhur me vendimet e ndryshme të komisionit vlerësues, si dhe qasje në paramasat e ofertës së kompanive të rekomanduar për kontratë për lot 2 dhe lot 3, por zyra e informim të MIT ka thënë se këto informata mund t’i bëjë të ditura kur të përfundojë procesi.

“Lidhur me kërkesën tuaj për qasje në dokumente publike, të pranuar më 18 nëntor 2019, ju informojmë si në vijim: Ky proces është në prokurim dhe, në momentin e përfundimit të procedurave të prokurimit, do të ju njoftojmë rreth qasjes në dokumentet e kërkuara”, thuhej në përgjigjen e MIT për lajmi.net.

Para dy vendimeve të fundit për anulim të procedurës së prokurimit, pra në vendimin kur ishte rekomanduar për kontratë kompania “Sinjal RKS”, thuhet se ka qenë oferta më e lira e përgjegjshme sesa e dy kompanive të tjera të përgjegjshme “Sinjal Papemburgu Ardiani” dhe “RSM Company”, ndërsa kompanitë si “Select Prima”, “Doreart”, “Arbotec Malsija”, “ITK” etj, janë eliminuar si të papërgjegjshme.

Megjithëkëtë, lajmi.net ka arritur të shohë paramasat kompanisë “Sinjal RKS” për lot 2, dhe kjo kompani është më e shtrenjtë se oferta e kompanisë “RSM Company”, e cila në vendimin e fundit është shpallur si e përgjegjshme, por më çmim më të shtrenjte, ndërkohe kjo kompani në të gjitha vlerësimet ishte shpallur si e pa përgjegjshme.

Sipas paramasve “Sinjal” për lot 2, ka ofertë të përgjithshme në vlerë prej 321 mijë euro, që për tri vite del shuma prej 963 mijë euro. Për lot 3 e ka ofertën në vlerë prej 431 mijë euro, që për tri vite i bie 1 milion e 293 mijë euro, ose mbi 2.2 milionë euro për tri vite të dy ofertat.

Sipas paramasave të tjera që i ka parë lajmi.net, për lot 2, kompania “RSM” ka pasur ofertë në vlerë prej 227 mijë euro, për tri vite 618 mijë euro, ose 345 mijë euro më lirë sesa oferta e Sinjalit. Për lot 3, “RSM| ka ofertë në vlerë prej 257 mijë e 199 euro, për tri vite 771 mijë e 597 euro, ose 520 mijë euro më të lirë se të Sinjalit. Pra, buxheti të cilin do e keqpërdorte ministria do të ishte 865 mijë euro, pasi që kaq është shuma e “RSM Company” se për tri vite më e lirë se e Sinjali në të dy ofertat.

Sa do që është shpallur si e papërgjegjshme në vendimin e fundit të komisionit, edhe “Select Prima” ka pasur ofertë më të lirë për lot 2, në vlerë prej 253 mijë euro për një vit. 759 euro për tri vite. Për lot 3 ka ofertë 148 mijë e 682 euro, ose 446 mijë euro për tre vite. Kjo kompani ishte shpallur fituese dy herë nga MIT, dhe lajmi.net kishte raportuar për afërsinë e një zyrtari të MIT me këtë kompani, por më pas ishte shpallur e papërgjegjshme në vendimet e MIT.Megjithëkëtë, kjo kompani është duke punuar në disa pjesë të Kosovës, pasi kishte arritur ta fitonte lot 8.

Edhe kompania tjetër që është duke punuar në dy lote, kompania “ITK” e ka pasur ofertën më të lirë për lot 2, ose 183 mijë euro për një vit, për tri vite 549 mijë euro. Për lot 3 ka ofertë totale për një vit 188 mijë e 530 euro, që kap vlerën 565 mijë euro për tri vite. Të dy ofertat kapin vlerën 1.1 milion euro, ose mbi 1 milion euro më lirë se e kompanive të rekomanduar për kontratë. Por, kjo kompani në është shpallur e papërgjegjshme për shkak, siç është thënë, numrit të pamjaftueshëm të punëtorëve.

Qe dy vite 700 kilometra rrugë nacionale janë pa sinjalizim

Janë mbi 700 kilometra rrugë që bien në përgjegjësinë e ministrisë së Infrastrukturës për të cilat nuk ka asnjë kompani të kontraktuar për mirëmbajtjes e sinjalistikës së tyre qe rreth dy vite, në pjesën lot 2 dhe lot 3.

Sinjalizimi i rrugëve për lot 2 është paraparë që të mbulojë këto rrugë:

Mutivodë –Prishtinë –Pejë M-9 ….. 157.00 km

Bellopoj –Istog –Vrellë R – 103 …..22.00 km

Klinë –Burim R 104 ….. 45.00 km

Skenderaj – Klinë –Vushtrri ….. 48.00 km

Pejë –Kullë R-106 ….. 26.50 km

Arllat –Rahovec –Xerxë R -110 ….. 38. 00 km.

Sipas pjesës së tretë të tenderit, për mirëmbajtjen të sinjalistikës janë paraparë këto rrugë:

M-9 Dollës –Ponoshec ….. 51.00 km

R- 107 Pejë –Prizren ….. 70.00 km

R-109 dDecan –Junik –Ponoshec ….. 18.00 km

R-111 Kramavik –Xerxë ….. 38.00 km

R-119 Kijevë –Malishevë –Dulë ….. 28. 00 km

R-120 Leban –Janjevë ….. 55.00 km

R121 Raushiq –Gllogjan –Zajm ….. 27. 30 km

R-129 Mitrovicë –Bajgorë ….. 35.00 km

R-220 Mitrovicë –Prill –Shkabaj ….. 32. 50 km

Për këto pjesë (lote) po nevojiten këto pozicione: 1, tërheqja e vijës së mesit e ndërprerë, 2. tërheqja e vijës së pandërprerë, 3. tërheqja e vijave kufizuese, 4. punimi i vijave të stopit, 5. Punimi i vijave të rreshtimit, 6. Punimi i ishujve dhe vendkalimeve, 7. Punimi i shigjetave dhe mbishkrimeve.

Para disa javëve lajmi.net kishte kërkuar statistika nga policia e Kosovës lidhur me aksidentet që ndodhin në trafik si pasojë e mungesës ose dëmtimit të shenjave udhërrëfyese.

“Lidhur me vendosjen apo mungesën e sinjalistikës, t’i adresoheni autoriteteve kompetente në nivele lokale dhe Ministrisë kompetente në nivele qendror. Ne si PK, varësisht nga informacionet apo të gjeturave në terren ju adresojmë rekomandime institucioneve kompetente në fjalë”, thuhej në një përgjigje të Policisë së Kosovës.

Derisa të realizohet ky tender, qytetarët janë të rrezikuara çdo ditë në komunikacion nga mungesa e shenjave udhërrëfyese, të cilat janë të jetike sidomos natën. /Mentor Buzhala-Lajmi.net/

Vendimet për RSM

I fundit

I datës 8. 04 .2019

I datës 16. 17 .2019