Live me Isa Mustafën

Një debat live me qytetarë, Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, do ta ketë këtë të diel, përmes Kanalit Youtube. Aty ai do të bashkëbisedojë me qytetarët për programin e tij, me të cilin po synon të rizgjidhet për herë të tretë Kryetar i Kryeqytetit.

Lajme

23/10/2013 10:06

Isa Mustafa ka munguar deri tash në të gjitha debatet e organizuar me kandidatët për Kryetar të Prishtinës.

Ai ka dhënë një arsyetim për mungesën e tij, duke thënë se parapëlqen më shumë që debatin ta zhvillojë me qytetarë. Dhe një debat të live me qytetarë, Mustafa do ta ketë këtë të diel, përmes Kanalit Youtube.

“Kemi kënaqësinë të ju ftojmë, që më datën 27.10.2013 (ditë e Diel), duke filluar nga ora 20:00, përmes rrjetit social Facebook dhe faqes YouTube, të merrni pjesë në debatin online, të organizuar për herë të parë në Kosovë, ‘Live me Kryetarin’”, thuhet në një njoftim të postuar në faqen zyrtare të Isa Mustafës në Facebook.

“Kryetari Mustafa do të debatojë me disa përfaqësues të komuniteteve dhe fushave të ndryshme”.

“Gjithashtu ju do të keni mundësinë të drejtoni pyetje përmes komenteve në Facebook”.