Lista Serbe fiton Parteshin

KQZ ka njoftuar se Kandidati i Listës Serbe, Dragan Nikolic, ka fituar në rivotim në Qendrën e Votimit në Pasjan të Parteshit. Ai ka marrë 1398 vota ose 52.4 %, ndërsa Nenad Cvetkovic ka 1272 vota ose 47.6 %”.

Lajme

15/12/2013 21:20

Kandidati i Listës Serbe, Dragan Nikolic, ka fituar në rivotim në Qendrën e Votimit në Pasjan të Parteshit, derisa, sipas rezultateve preliminare të KQZ’së, ai do të jetë Kryetar i kësaj Komune në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka dhënë rezultatet preliminare për rivotimin në këtë qendër të votimit, pasi me 3 dhjetor ishin prishur fletëvotimet.

“Duke u bazuar në raportin e KKZ’së deri në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha vendvotimet dhe dalja në zgjedhje është 68.78 për qind, apo 1304 votues. Ndërsa, në nivel Komune dalja në zgjedhje ka qenë, duke i marrë parasysh edhe rezultatet paraprake, 63.87 për qind, 2767 votues.”

“Dragan Nikolic ka marrë 1398 vota ose 52.4 %, ndërsa Nenad Cvetkovic ka 1272 vota ose 47.6 %”.

Daka ka theksuar se procesi i rivotimit në Pasjan të Parteshit ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur asnjë incident që do ta dëmtonte procesin zgjedhor.

“Jo, nuk ka asnjë incident, i cili vlen të theksohet. Çdo gjë ka shkuar në rregull, vendvotimet janë mbyllur me kohë, nuk kemi pasur ndonjë incident apo çështje që duhet të theksohet, apo që do ta dëmtonte imazhin e këtij rivotimi. Ky është praktikisht fundi i këtyre zgjedhjeve lokale dhe nuk ka më asgjë tjetër që të theksohet”.

Daka ka bërë të ditur se janë diku edhe 50 vota me kusht, të cilat do të numërohen dhe gjatë ditës së hënë do të shpallën rezultatet përfundimtare.

 

(Kosovapress)