“Liria ka Emër” përshëndet deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë për ish-liderët e UÇK-së
Platforma “Liria ka Emër” ka përshëndetur Deklaratën e miratuar sot nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, përmes së cilës shprehet qëndrimi për pafajësinë e ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në reagimin e saj, platforma ka shprehur mirënjohje për angazhimin e institucioneve shqiptare, duke vlerësuar gatishmërinë e treguar për të ndërmarrë hapa diplomatikë dhe…
Lajme
Platforma “Liria ka Emër” ka përshëndetur Deklaratën e miratuar sot nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, përmes së cilës shprehet qëndrimi për pafajësinë e ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në reagimin e saj, platforma ka shprehur mirënjohje për angazhimin e institucioneve shqiptare, duke vlerësuar gatishmërinë e treguar për të ndërmarrë hapa diplomatikë dhe politikë në forume ndërkombëtare, me qëllim që – siç thuhet – të mbrohet e vërteta historike mbi luftën e UÇK-së dhe të sigurohet drejtësi e paanshme.
Sipas deklaratës, UÇK-ja cilësohet si një lëvizje legjitime dhe përfaqësuese e aspiratave të popullit të Kosovës për liri, dinjitet dhe vetëvendosje, në përputhje me parimet ndërkombëtare. Po ashtu, theksohet se lufta e saj nuk mund të barazohet me krimet e regjimit serb, ndërsa paralajmërohet se kërkesat e Prokurorisë në Hagë rrezikojnë shtrembërimin e historisë.
Platforma “Liria ka Emër” ka bërë thirrje që Dhomat e Specializuara në Hagë, komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet e drejtësisë ndërkombëtare të garantojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke respektuar – siç thuhet – dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
Në fund të reagimit, platforma ka falënderuar qytetarët, organizatat dhe grupet shoqërore brenda dhe jashtë vendit për mbështetjen dhe angazhimin në këtë kauzë. /Lajmi.net/