Linja 3A në Prishtinë paralajmëron ndalimin e shërbimit: Komuna s’na ka paguar për shtatë muaj
Kompania Qendra Shpk, e cila operon me linjën e autobusëve 3A në Prishtinë, ka paralajmëruar se shërbimi i transportit urban rrezikon të ndërpritet për shkak të mospagesave nga Komuna e Prishtinës për shtatë muaj rresht. Përmes një thirrjeje urgjente për reagim, kompania ka bërë të ditur se bllokada e buxhetit të Komunës e ka lënë…
Lajme
Kompania Qendra Shpk, e cila operon me linjën e autobusëve 3A në Prishtinë, ka paralajmëruar se shërbimi i transportit urban rrezikon të ndërpritet për shkak të mospagesave nga Komuna e Prishtinës për shtatë muaj rresht.
Përmes një thirrjeje urgjente për reagim, kompania ka bërë të ditur se bllokada e buxhetit të Komunës e ka lënë pa pagesa për shërbimet e kryera, duke shkaktuar vështirësi të mëdha financiare.
Sipas njoftimit, kompania përballet me qindra mijëra euro detyrime për furnizim me naftë, paga të punonjësve dhe mirëmbajtje teknike.
Qendra Shpk ka theksuar se një situatë e tillë financiare nuk i ka ndodhur që nga viti 2006, duke paralajmëruar se, në mungesë të pagesave, mund të detyrohet ta ndërpresë punën.
“Kurrë më parë nuk kemi qenë të zhytur në borxhe kaq të mëdha”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Në fund, Qendra Shpk – Linja 3A u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të gjithë aktorëve përgjegjës që të ndërmarrin hapa urgjentë për zhbllokimin e buxhetit të Prishtinës dhe vazhdimin e pagesave.
Sipas kompanisë, moszgjidhja e kësaj situate rrezikon seriozisht vazhdimësinë e transportit urban dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt te qytetarët që e përdorin këtë shërbim. /Lajmi.net/