Haxhiu takon drejtoreshën e NDI-së, diskutojnë agjendën legjislative dhe barazinë gjinore
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), Nancy Soderberg, me të cilën ka diskutuar për prioritetet e agjendës legjislative të Kuvendit dhe bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se në takim është diskutuar edhe mbështetja që NDI…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), Nancy Soderberg, me të cilën ka diskutuar për prioritetet e agjendës legjislative të Kuvendit dhe bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se në takim është diskutuar edhe mbështetja që NDI do t’i ofrojë Institutit Parlamentar, si dhe avancimi i një agjende ligjvënëse që merr parasysh në mënyrë të barabartë nevojat dhe përvojat e grave dhe burrave.
Haxhiu ka theksuar rëndësinë e forcimit të kapaciteteve profesionale të Kuvendit dhe përfshirjes së barazisë gjinore në procesin e hartimit dhe shqyrtimit të ligjeve.
“Besoj se ligjet e mira fillojnë nga njohja e mirë e nevojave të qytetarëve. Prandaj, është e rëndësishme që Kuvendi të ketë kapacitete të fuqishme profesionale dhe që barazia gjinore të jetë pjesë e vetë procesit të hartimit dhe shqyrtimit të ligjeve”, ka shkruar ajo.
Në fund, kryetarja e Kuvendit e ka falënderuar Soderbergun për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që NDI i ka ofruar Kuvendit të Kosovës ndër vite, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit. /Lajmi.net/