Lindjet me prerje cezariane mund të sjellin dëme të tjera shëndetësore
Mbi 1 mijë 540 gra kanë lindur me prerje cezariane në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ndërsa numri i përgjithshëm i lindjeve është rreth 3 mijë e 660. Sipas drejtorit të Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Zef Ndrejaj, lindja me prerje cezariane, pa indikacion mjekësor, mund të sjellë pasoja…

Lajme
Mbi 1 mijë 540 gra kanë lindur me prerje cezariane në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ndërsa numri i përgjithshëm i lindjeve është rreth 3 mijë e 660.
Sipas drejtorit të Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Zef Ndrejaj, lindja me prerje cezariane, pa indikacion mjekësor, mund të sjellë pasoja serioze shëndetësore për nënën si: dëmtim të organeve, gjakderdhje, infeksione, dhimbje kronike dhe madje edhe infertilitet.
Ndrejaj, thekson se lindja natyrale duhet të jetë zgjedhja e parë, sa herë që ekzistojnë kushtet mjekësore për ta mundësuar atë.
Ai përmendi se lindjet me prerje cezariane është trend në rritje.
“Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti i kemi gjithsej në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike 3 mijë e 658 lindje të cilat janë kryer. Prej tyre me prerje cezariane kanë kryer lindjen rreth 1 mijë e 541 lindje. Po i bie një përqindje bukur e lartë e lindjeve me prerje cezariane…Numri i lindjeve me prerje cezariane është pak më i ulët sesa me lindje normale. Mirëpo, trendi i rritjes është gjithherë në shtim”, thotë Ndrejaj.
Gjinekologu Zef Ndrejaj thotë se numri i lartë i lindjeve me prerje cezariane lidhet me mungesën e protokolleve klinike, të cilat janë ende në përpunim.
Ai thekson se Klinika e Gjinekologjisë në QKUK, trajton raste të rënda nga regjionet, ku shpesh lindjet cezariane janë të domosdoshme.
“Ka shumë arsye. Së pari Klinika Obstetrike Gjinekologjike në QKUK është qendër referente. Rastet më të rënda vijnë prej regjioneve dhe kryejnë lindjet këtu. Shumica prej tyre kur vijnë prej regjioneve janë në gjendje të rëndë, që duhet lindja të kryhet më shpejtë dhe më sigurt, atëherë zgjedhet lindja me prerje cezariane…Pastaj janë, është mungesa e protokolleve klinike që janë duke u punuar prej Ministrisë së Shëndetësisë, së bashku me profesionistë nga klinika jonë. Janë në përfundim të protokollit për ecurinë e rrjedhjes apo përfundimit të lindjeve, sidomos kur ka indikacione që lindja të kryhet me prerje cezariane, të bazohemi në protokollet mjekësore…Ndikojnë edhe disa faktorë të tjerë, për shembull insititmi i bashkëshortëve që lindja të kryhet me prerje cezariane”, tregon Ndrejaj.
Ndrejaj tregon se lindja me prerje cezariane, kur kryhet pa arsye të forta mjekësore, mund të sjellë komplikime serioze si gjakderdhje, infeksione dhe lëndime të organeve të brendshme.
Siç thotë ai mund të ndodhin edhe probleme të vonshme si infertilitet, dhe dhimbje kronike që mund të zgjasin me vite.
“Lindja me prerje cezariane ka shumë pengesa apo dëme nëse lindjet me prerje cezaeiane kryhen pa ndonjë arsye të madhe. Duke filluar prej intervenimit të pacientes ku mundësia e komplikimit, gjakderdhjes. Pastaj, lëndimi i organeve brenda në abdomen gjatë intervenimit ku mund të ndodhë. Komplikim tjetër është pas disa ditësh mund të shkaktohet ndonjë infeksion i natyrës së ndryshme ose abdominal ose brenda introabdominal ose gjatë intervenimit mund të shkaktohet ndonjë hematomë…Pastaj i kemi komplikimet e vonshme me prerje cezariane ku ndodhë shpesh që në shtatzënitë e ardhshme të ketë edhe infertilitet, të mos mundësi të mbetet shtatzënë…Problemet tjera janë edhe nëse ndodhë ndonjë shtatëzëni, implantim i qelizës së mbarësuar në pjesën në cikatriks, apo ku është bërë prerja në mitër. Nëse ndodhë implantimi i qelizës vezë aty atëherë me siguri që do të kemi problem me atë shtatzëni ose duhet të ndërprehet…Mund të cekim edhe dhimbjet kronike pas lindjes, pas operacionit që mbesin me vite të tëra”, thotë gjinekologu.
Sipas drejtorit të Gjineklogjisë, Zef Ndrejaj edhe pse lindja me prerje cezariane mund të jetë më e sigurt për foshnjën në momentin e nxjerrjes, ajo sërish bart rreziqe.
Ai thotë se foshnjat mund të pësojnë lëndime të padëshiruara, si në dorë, këmbë apo kokë.
Për këtë arsye, Ndrejaj tregon se përpiqen t’i nxisin nënat që, kur është e mundur, të lindin në mënyrë natyrale.
“Mundohemi në çdo mënyrë që t’i bindim (nënat) të kundërtën që lindja të kryhet me rrugë natyrore, jo me prerje cezariane, për shkak të këtyre pengesave ose komplikimeve që ndodhin pas lindjeve me prerje. Po te foshnjat a mund të ndikojë diçka negativisht lindja cezariane? Foshnjat gjatë lindjes me prerje cezariane janë ndoshta pak më të sigurta në nxjerre. Mirëpo, edhe aty mundtë ekzistojnë lëndimet. Mund t’i lëndohet ndonjë dorë, gjymtyrë, këmbë. Mund t’i shkaktohet ndonjë lëndim i kokës, pa qëllim normalisht”, potencon Ndrejaj.
Gjinekologu Zef Ndrejaj potencon se është shumë e rëndësishme që gratë të bashkëpunojnë ngushtë me profesionistët dhe mamitë, në mënyrë që lindja të ndodhë natyrshëm sa herë që ka mundësi.
“Sa më shumë të bashkëpunohet me mjekun ose profesionistin, maminë që lindja të zgjidhet dhe të kryhet me rrugë natyrore sa ka mundësi për mos të vije deri tek ndonjë komplikim. Aty ku ka mundësi çdoherë të provohet lindja me rrugë natyrore jo me prerje cezariane. Të bindet në këshillat e mjekëve dhe profesionistëve shëndetësorë për mënyrën e lindjes dhe të pajtohen me atë që e thotë mjeku apo profesionisti”, thotë Ndrejaj.
Lindja me prerje cezariane është një ndërhyrje kirurgjikale përmes së cilës foshnja lind duke bërë një prerje në barkun dhe mitrën e nënës, në vend se të vijë në jetë përmes kanalit vaginal (rrugës natyrore)./kp