Limaj thotë se ideja për ndryshimin e kufirit ka dobësuar pozicionin e Kosovës në dialog me Serbinë

23:13 | 20 Maj 2019

Fatmir Limaj ka thënë se pozicioni i tij shtetëror si zëvendëskryeministër i Kosovës dhe si bashkëkryesues i Delegacionit Shtetëror për bisedime me Serbinë nuk ia lejon të flasë për tema siç është ndryshimi i kufijve.

Kosova, ka deklaruar Limaj, është futur në një situatë të çuditshme nga ky debat, dhe se asnjëherë skena politike në Kosovë nuk ka pasur kaq shumë telashe sa ka tani në raport me Serbinë.

Limaj ka thënë në Vizion Plus se opinionet publike vitin e kaluar kanë krijuar konfuzion dhe kanë zbehur pozicionet e Kosovës në dialog në raport me Serbinë.

Kësisoj, ai ka sulmuar njeriun që doli me idenë për prekjen e kufijve, presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

“Kemi bërë përpjekje për ta kthyer procesin në binare, duke synuar gjithëpërfshirës. Sa me përfshirës është skena politike jep siguri dhe garanci. Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me Isa Mustafën dhe e njoftoj për dialogun. Ne si delegacion kemi ndërtuar një platformë, e cila derivon nga dokumentet bazë të shtetit siç është Kushtetuta e vendit, vendimi i GJND-së. Çështja e Kosovës është përmbyllur në 2008 dhe ky është qëndrimi që përfaqësojmë”, ka thënë Limaj.

Më tutje, ai ka deklaruar se askush, përfshirë presidentin Thaçi, nuk mund të dalë nga Kushtetuta e Kosovës dhe platforma e miratuar në dialog.

Sa i përket bashkimit të Luginës me Kosovën, Limaj ka thënë se do ta shkelte Kushtetutën nëse do të kishte pretendime të tilla.

“Kosova ka bërë kompromise të dhimbshme. Kemi pranuar një shoqëri multietnike dhe ka qenë investim i përbashkët dhe besojmë në ato vlera. Liria është arritur bashkë me partnerët tanë ndërkombëtare. Kushdo që tenton për t’i prishur ato themele nuk di si ku do të shkojë”, ka shtuar Limaj.

Zv.kryeministri i Kosovës ka thënë se njohja e Kosovës nga ana e Serbisë do të ishte në interes të vet shtetit serb, sepse e ka kusht zgjidhjen e çështjes së Kosovës për të avancuar tutje.

Kosova, ka vlerësuar Limaj, nuk guxon ta refuzojë asnjëherë karrigen e dialogut, ndërsa në tavolinë mundet të refuzojë opsione të dëmshme për vendin.