Limaj: Osmani u bë pjesë e zvarritjes, duhej të shpallte zgjedhjet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pasur mundësinë për ta nxjerrë vendin nga kriza politike duke mos e zvarritur procesin zgjedhor. Limaj ka theksuar se gjatë takimeve të saj me partitë politike është konfirmuar mungesa e vullnetit për të krijuar një shumicë të dytë parlamentare. “Para…
Lajme
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pasur mundësinë për ta nxjerrë vendin nga kriza politike duke mos e zvarritur procesin zgjedhor.
Limaj ka theksuar se gjatë takimeve të saj me partitë politike është konfirmuar mungesa e vullnetit për të krijuar një shumicë të dytë parlamentare.
“Para se të vije te mandatari i dytë, ne kemi qenë te presidentja, sic e kërkon kushtetuta, pra është konsultuar me të gjitha partitë politike. Presidentes, të gjitha partitë politike shqiptare, shumica edhe disa të minoriteteve, janë deklaruar qartë se mungon vullneti politik për të krijuar një shumicë të dytë. Nuk ka votë për një shumicë të dytë, nuk ka pretendim për një mandatar tjetër, dhe gjithçka që i mbetet asaj është të mos e zvarrisë procesin dhe të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, sepse këta 120 deputetë nuk kanë më aftësi për të ndërtuar një shumicë parlamentare. Ne kemi pritur që presidentja, në përputhje me kompetencat e saj, ta nxjerrë vendin sa më shpejt nga kjo situatë. Shmangia nga zgjedhjet duhet të tentohet vetëm aty ku ka shpresë. Kur ka një deklarim të qartë nga grupet politike që nuk kanë vullnet për të ndërtuar shumicë parlamentare, presidentja duhet të luajë rolin tjetër dhe të mos e shtyjë datën e zgjedhjeve”, ka thënë Limaj.
Ai tutje ka shtuar se gjatë takimit me Osmanin ka vënë re disponimin e saj për një mandatim të dytë, pavarësisht se nuk kishte shanse reale për të krijuar shumicë të re.
Sipas tij, presidentja ka rrëshqitur nga kompetencat e saj dhe është bërë pjesë e zvarritjes.“Te partitë politike nuk ka pasur gjasa pas dështimit të parë. Ne nuk kemi parë që ka pasur ndonjë marrëveshje të re mes forcave politike, ose ndonjë deklarim publik të deputetëve se do të ndryshojnë mendje dhe do të ishin të gatshëm të ndërtojnë një shumicë të re. Këto janë ato kritere mbizotëruese që i ka vendosur Gjykata Kushtetuese, që presidentja i sheh dhe mbi bazën e tyre vendos. Unë e kam parë disponimin e presidentes se do të shkojë drejt një mandatimi. Presidentja, në një mënyrë apo tjetër, ka rrëshqitur nga kompetencat e saj dhe është bërë pjesë e zvarritjes. Duke parë këtë situatë, edhe unë, nëse do të isha forca e dytë ose të kisha më shumë deputetë, do të dërgoja një mandatar”, ka shtuar Limaj.
Ndërkaq, pyetjes se pse Osmani ka vonuar shpalljen e zgjedhjeve, Limaj u përgjigj se nuk di motivin, por shtoi se zgjedhjet mund të ishin shpallur menjëherë pas takimit me partitë politike.“Nuk e di nëse ka motive presidentja për të zvarritur. Mendoj që duhet ta pyesni vetë atë. Por ka zvarritje, sepse zgjedhjet mund të shpalleshin në ditën e dytë, menjëherë pas takimit tonë, pasi presidentja e ka pasur në transcript vullnetin dhe qëndrimin politik të forcave politike. Ju e dini që kam qenë kundër zgjedhjeve, por ka ardhur një situatë ku, fatkeqësisht, zgjedhjet kanë mbetur zgjidhja”, ka përfunduar ai./teve1/