Liga e Kampionëve, Reali nuk do të jetë në vazon e parë

Real Madridi dhe Atletico Madrid do të vendosen në vazon e dytë për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, gjë që do të thotë se pothuajse me siguri do të përballen me një kundërshtar të fortë nga vazoja e parë.

Sport

22/05/2019 10:16

Deri në 26 skuadra do të kualifikohen drejtpërsëdrejti për fazën e grupeve të sezonit të ardhshëm, ndërsa dy vende i takojnë fituesit të Ligës së Kampionëve dhe Europa Ligës.

Këtë sezon, megjithatë, të dy finalistët e Ligës së Kampioneve tashmë janë kualifikuar për kompeticionin përmes pozitave të tyre të ligës vendase, kështu që vendi i lirë do të shkojë te kampionët e Bundesligës austriake të futbollit, federata e së cilës zë vendin e 11 në renditjen e UEFA-s, transmeton lajmi.net.

Italia, Spanja, Anglia dhe Gjermania do të kenë katër ekipe secila, ndërsa dy të parët nga Franca dhe Rusia do ta kualifikohen direkt, së bashku me kampionin e Portugalisë, Ukrainës, Belgjikës dhe Turqisë.

Vazoja e parë do të përbëhet nga skuadra të tilla si Barcelona, Manchester City, Juventus, Bayern Munich, Paris Saint-Germain, Zenit Saint Petersburg, Liverpool ose Tottenham Hotspur dhe Chelsea ose Arsenal.

Shorti pritet të hidhet në fund të muajit gusht. /Lajmi.net/