Liberland në 7 km katrorë, 1 milion kërkesa për shtetësi

Projekti i shtetasit çek, Vito Jedliqka, i cili në një sipërfaqe prej shtatë kilometrash katrorë ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë ka themeluar shtetin fiktiv, ende të pa pranuar Liberland, ka tërhequr vëmendje të madhe, duke regjistruar brenda vetëm tre ditëve 1.3 milion vizita në ueb faqen http://liberland.org/en/main.

Lajme

20/04/2015 23:49

Themeluesi i Liberland, Jedliqka njoftoi se interesimi i qytetarëve për shtetin fiktiv është shumë i madh dhe se për një kohë shumë të shkurtër ka marrë rreth 250,000 kërkesa për dhënie shtetësie.

Madje, sipas tij, për këtë projekt kanë treguar kureshtje të madhe edhe diplomatë nga e tërë bota.

“Mendoj se deri në fund të javës do të kemi rreth 1 milion kërkesa për shtetësi”, vlerësoi Jedliqka.

Mirëpo, ata që duan ta fitojnë shtetësinë e Liberlandit duhet të përmbushin standarde të larta – të respektojnë njerëzit e tjerë dhe qëndrimet e tyre, si dhe pronën shoqërore, të mos kenë fletëparaqitje penale, as të jenë komunistë, nazistë apo pjesëtarë të ndonjë grupi ekstremist, transmeton agjencia e lajmeve AFP.

Jedliqka e ka shpallur shtetin fiktiv, ende të pa pranuar nga shtetet tjera, me emrin Liberalnd dhe ka ftuar njerëzit t’i bashkohen me moton “jeto dhe lejoj të tjerët të jetojnë”.