Leksion për qeverisjen e Gjilanit

Lutfi Haziri thotë se qytetarët e Përlepnicës janë europian, por kanë qeverisje aziatike. Ai premton ndryshim të gjendjes në këtë qytet.

Lajme

13/10/2013 09:35

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur një takim elektoral me banorët e Përlepnicës.

Në këtë takim, Haziri u ka premtuar banorëve të këtij fshati investime në infrastrukturë dhe subvencione të mëdha në bujqësi, raporton Rajonipress.

“Familja tek ne është më e rrezikuara nga papunësia, nga gjendja e rëndë sociale. Sot një familje s’ka mundësi t’i dërgojë të gjithë në studime universitare, ose e dërgon një anëtar ose hiç”.

“Kjo nuk do të ndodhë në qeverisjen e LDK’së sepse ju nuk do t’i keni këto probleme”.

“Familja zhvillohet duke pasur subvencione në bujqësi. Ne do t’ua mundësojmë që prej prodhimit e deri në korrje t’i keni falas. Do t’ju krijojmë kushte që t’i zhvilloni të gjitha kulturat tjera bujqësore”.

Në këtë takim, Lutfi Haziri, ka bërë thirrje edhe për mbrojtje të votës, më 3 nëntor.

“Ju po e shihni që gjendja në Gjilan dhe në fshatra është e keqe. Duhet ta ndryshojmë këtë gjendje dhe së bashku do të japim leksion qysh qeveriset”.

“Përlepnica është vend i kulturës, është më e vjetër se Gjilani. Qytetarët e Përlepnicës janë evropian, por kanë qeverisje aziatike, të mbyllur për qytetarët, të zhytur në krim e korrupsion”.

“ Duhet angazhim nga të gjithë që të mbrojmë votën me të gjithë potencialin për ta kremtuar fitoren e madhe më 3 nëntor”.