Legjenda Ozil

Mesfushori Mesut Ozil ka pranuar se ëndërron të fitojë Kampionatin botëror në Brazil, dhe të hyjë në mesin e legjendave të Gjermanisë.

Sport

28/05/2014 22:48

Mesut Ozil insiston se dëshiron të bëhet legjendë gjatë verës duke fituar Kampionatin botëror me Gjermaninë.

Ozil hyn në garë pas një sezoni ku realizoi pesë gola dhe nëntë asistime në 26 paraqitje në Premierligë për Arsenalin, si dhe fitoi trofeun e FA Cup që i dha fund pritjes nëntëvjeçare të ekipit për titull.

Por, 25-vjeçari ende nuk ka shijuar sukses në nivelin ndërkombëtar pasi suksesi i fundit i Gjermanisë ndodhi 18 vjet më parë, në Euro 96 në Angli.

Andaj, Ozil udhëhiqet nga dëshira të ndjekë hapat e ikonave si Fritz Walter, Wolfgang Overath dhe Lothar Matthaus. “Ata tre janë legjenda në futbollin gjerman”, deklaroi Ozil për Sport Bild.

“Ata fituan aq shumë tituj dhe përfaqësojnë një epokë. Admiroj atë që kanë arritur dhe e di se ata ishin lloj i futbollistit çfarë jam edhe unë. E shoh veten si plejmejker tradicional. Nuk do të ketë shumë të tillë në Kampionat botëror, andaj mund të jem i fundit”, shtoi ai.

“Dua të përcjelli shembujt e tyre dhe të bëhem po ashtu legjendë. Dhe, kushdo që dëshiron të bëhet legjendë duhet ta fitojë titullin. Ne udhëtojmë në Brazil për ta bërë ëndrrën realitet”, përfundoi Ozil.