LDK voton kundër dorëheqjes së Lumir Abdixhikut – ai do të vazhdoj të jetë kryetar i partisë
Ka përfunduar numërimi i votave të delegatëve të LDK-së për çështjen e dorëheqjes së Lumir Abdixhikut. Delegatët kanë votuar kundër dorëheqjes së Lumir Abdixhikut, duke e lënë atë ende kryetar të partisë, transmeton lajmi.net. Siç po raportohet, dallimi në vota ka qenë 164 kundër dorëheqjes së tij, dhe 136 pro kësaj. Në rast se do…
Lajme
Ka përfunduar numërimi i votave të delegatëve të LDK-së për çështjen e dorëheqjes së Lumir Abdixhikut.
Delegatët kanë votuar kundër dorëheqjes së Lumir Abdixhikut, duke e lënë atë ende kryetar të partisë, transmeton lajmi.net.
Siç po raportohet, dallimi në vota ka qenë 164 kundër dorëheqjes së tij, dhe 136 pro kësaj.
Në rast se do të votohej pro dorëheqjes së tij, Avdullah Hoti do të mund të dilte në votim për kryetar të partisë, por anëtarësia e LDK-së ka vendosur të vazhdoj me Abdixhikun.
Çka tha Abdixhiku para delegatëve në fjalimin që e hapi Kuvendin e Punës?
Lumir Abdixhiku, gjatë fjalimit të tij para qindra delegatëve të Kuvendit të LDK-së, njoftoi se kishte vendosur dorëheqjen e tij në dispozicion për shqyrtim, duke kërkuar që përmes votëbesimit të përcaktohej qartë drejtimi i ardhshëm politik i partisë dhe pozicioni i tij si kryetar.
“Me përgjegjësi të plotë morale dhe politike, ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëheqjen time nga detyra e Kryetarit, për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit,” tha Abdixhiku.
Ai theksoi se veprimi i tij nuk është për të shmangur përgjegjësinë, por për ta përmbushur atë: “Nuk e bëj këtë për ta shmangur përgjegjësinë, por për ta përmbushur atë si detyrim moral. Nuk e bëj këtë për të krijuar krizë, por për ta sqaruar drejtimin që na duhet përpara.”
Abdixhiku gjithashtu theksoi se qëllimi nuk është përçarja e partisë, por bashkimi rreth vendimeve të rëndësishme: “Nuk e bëj këtë për ta ndarë LDK-në, por për ta bashkuar rreth vendimit më të lartë të saj.”
Ai përfundoi me një mesazh drejtuar delegatëve, duke kërkuar vendosmëri dhe bashkëpunim:
“Prandaj ju pyes, çfarë dëshironi të bëni me mua si Kryetar, dhe me të ardhmen e kësaj partie? Çfarëdo vendimi që merrni, unë do ta respektoj me qetësi, dinjitet dhe besim. Sepse besoj te kjo sallë. Besoj te ky Kuvend. Besoj te pjekuria politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës.” /lajmi.net/