“LDK të reflektojë”/ Bajqinovci për presidentin: Të gatshëm për bashkëpunim edhe me PDK-në – të shmangen zgjedhjet e reja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se beson se brenda afatit kushtetues do të kemi president, teksa ka shtuar se është përgjegjësi e opozitës që të mos e çojë vendin në zgjedhje. “Sa i përket çështjes së Presidentit, besoj se institucionet e Republikës së Kosovës do të funksionalizohen brenda afatit kushtetues. Është përgjegjësi…

Lajme

07/04/2026 20:54

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se beson se brenda afatit kushtetues do të kemi president, teksa ka shtuar se është përgjegjësi e opozitës që të mos e çojë vendin në zgjedhje.

“Sa i përket çështjes së Presidentit, besoj se institucionet e Republikës së Kosovës do të funksionalizohen brenda afatit kushtetues. Është përgjegjësi e opozitës që të mos e çojë vendin në një krizë të panevojshme institucionale”, është shprehur ai për Gazeta Blic.

Sipas deputetit, VV është e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë, përfshirë PDK-në, por që marrëveshjet nuk bëhen me imponime.

“Ne jemi të hapur për dialog dhe bashkëpunim me të gjitha partitë parlamentare, përfshirë edhe PDK-në. Megjithatë, marrëveshjet nuk bëhen me imponim apo me kalkulime ditore politike, por mbi bazën e interesit shtetëror dhe stabilitetit institucional”, ka vlerësuar ai.

Bajqinovci shpreson që LDK-ja të reflektojë dhe të kontribuojë në këtë proces, teksa shton se qëllimi është që të shmangen zgjedhjet e reja.

“Shpresoj që edhe LDK-ja, në ditët në vijim, të reflektojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë në këtë proces. Qëllimi ynë është i qartë: të shmangim zgjedhjet e reja, sepse qytetarët nuk kanë nevojë për zgjedhje të shpeshta, por për stabilitet, zhvillim dhe vazhdim të punëve të mira që janë nisur”, ka deklaruar deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci.