Në letrën që është publikuar në media, Kurti ka kërkuar takim këtë javë me Abdixhikun, duke ofruar si opsion datën 9 prill dhe 10 prill- madje me orare të ndryshme të cilat do të mund t’i përshtateshin Abdixhikut dhe LDK-së në përgjithësi.
Për këtë ftesë pati reagime të shumta nga anëtarët e LDK-së, të cilët e cilësuan Kurtin si përçarësin më të madh mbarë shqiptarë.
Edhe pas zbutjes së gjuhës së Kurtit ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), parti kjo e cila doli në vend të tretë në zgjedhjet e 9 shkurtit, duket se qëndrimi i tyre nuk do të ndryshojë për momentin.
Kështu të paktën ka konfirmuar për lajmi.net, nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
“Mendoj qe mjaftueshëm e kemi qartësuar qëndrimin tonë prej para fushatës. Asgjë nuk ka ndryshuar”, ka thënë ajo.
Mirëpo tashmë kur kanë kaluar më tepër se 48-orë, i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vendosur të refuzojë ftesën e të parit të qeverisë.
“LDK – për ta kuptuar mirë – u qëndron besnike vendimeve, bindjeve dhe fjalëve të thëna para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës. Ndaj të gjithëve – njësoj”, ka shkruar Abdixhiku.
Anipse refuzoi këtë takim, Abdixhiku ka thënë se LDK e pret dhe e mbështet konstituimin e Kuvendit më 15 prill.
“LDK njeh të drejtën legjitime, demokratike dhe kushtetuese të partisë së parë për të marrë mandatin për qeverisje. Dhe në rast të dështimit të saj, njeh të drejtën e secilit për të ndërtuar shumicën. Qëndrimet tona janë të qarta”, shkroi ndër të tjera në profilin e tij në Facebook, Abdixhiku.
E mendim pak më ndryshe nga Kica-Xhelili, ka deputeti i sapo zgjedhur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Nait Hasani, i cili thotë se në sistemet demokratike duhet të debatohet dhe se kjo gjë është interes politik i partive politike.
Nga PDK, ende nuk kanë konfirmuar nëse kanë pranuar një ftesë për takim nga i pari i Qeverisë, por sipas Hasanit në rast se do të marrin ftesë duhet të përgjigjen pozitivisht.
“Ne sistemet demokratike duhet me pranu me debatu dhe është interes politike i partive politike. Ne nuk jemi armiq mes vete jemi kundërshtar politik”, thotë Hasani.
Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë thënë se nuk do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Kurtit në rast se do tu ofrohet në ditët në vazhdim.
Kështu ka thënë për lajmi.net, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, i cili edhe njëherë ka konfirmuar se janë kundër bashkëpunimit dhe qeverisjes me Lëvizjen Vetëvendosje.
“AAK dhe lideri Haradinaj qysh para zgjedhjeve kanë qenë dhe janë kundër bashkëpunimit dhe Qeverisjes me Vetëvendosjen, e veçanërisht ku Kryeministër Do të jetë z.Kurti. Kosova dhe qytetarët janë keqqeverisur në dy mandate, prandaj nuk jemi për të vazhduar dhe përkrahur Qeverinë Kurti 3”, ka thënë Lekaj.
Tutje për Lekaj një qeveri e krijuar nga partitë opozitare do të krijonte ndryshimet e nevojshme në Kosovë.
“Ne kemi thënë që jemi pro Qeverisë të krijuar nga opozita, dhe qëndrimi ynë është që do të përkrahim cilindo kandidat për kryeministër nga fronti opozitar që përbëhet nga PDK, LDK, AAK-NISMA.
Ky koalicion do të bënte ndryshimet e nevojshme në Kosovë, sidomos në fuqizimin ekonomik, investimeve kapitale dhe ripozicionimit të vendit në arenën ndërkombëtare”, thekson Lekaj.
Ndryshe ish-deputeti i AAK-së, thotë se votat e kësaj partie do të shkojnë dhe mbështesin vetëm qeverinë e opozitës.
“Qytetarët e vendit kanë nevojë për dorën e shtetit që të trajtohen dhe qeverisen dinjitetshëm, ndryshe nga qeverisja 8 vjeçare e Vetëvendosjes”, ka thënë ai.
Në media është raportuar se Kurti është takuar javën e kaluar me kryetarin e Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mirëpo as nga LVV dhe as Nisma nuk e kanë konfirmuar, një takim të tillë.
Madje nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca gjatë një deklarimi dje para mediave mohoi të ketë pasur ftesa apo takime me ndokënd nga partitë opozitare si PDK, AAK apo Nisma.
Ai theksoi se Albin Kurti zgjodhi liderin e LDK-së për ta ftuar në takim e sipas tij ai kishte një arsye se pse e bëri këtë zgjedhje. Sipas Konjufcës ftesa s’ka të bëjë me çështje teknike pasi në këtë rast do të duhej nisur nga PDK-ja, por LDK u zgjodh për arsye të tjera të cilat i di i pari i VV-së.
Përpos kësaj Konjufca pas takimit që pati me përfaqësues të partive politike në Kuvendin e Kosovës deklaroi se Vetëvendosje nuk ka ende emër as për Kryeparlamentar dhe se nuk dihet nëse ai do të jetë sërish i propozuar nga partia. Sipas Konjufcës mendohej se VV-ja do t’ia dalë ta krijojë e vetme qeverinë, por rezultati i zgjedhjeve nxori diçka tjetër e që qeveria vështirë formohet edhe veç me votat e komuniteteve jo-shumicë.
Kësisoj Vetëvendosjes do t’i duhet të lidh koalicion me ndonjë prej partive të tjera- apo të peshkojë votat e ndonjë prej deputetëve. Në rast se nuk arrin ta formojë qeverinë e re mbetet të shihet se cilët do të jenë hapat e ardhshëm.
Nga zgjedhjet e 9 shkurtit- Vetëvendosje doli parti e parë fituese duke u radhitur më pas nga PDK, LDK, AAK-Nisma dhe partitë e komuniteteve. /Lajmi.net/