LDK reagon për Interpolin: Hodhët poshtë punën kolosale të Isa Mustafës

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur “dështim të radhës” vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për ta shtyrë aplikimin e Kosovës në INTERPOL. Sipas reagimit të LDK-së, Qeveria e Haradinajt i ka humbur 3 muaj lobim duke u marrë me `shitblerje` të deputetëve për të siguruar votat.

Lajme

21/09/2017 20:30

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të LDK-së:

Siç ndodhi me UNESCO-n në vitin 2015, me veprimet tona e bëmë të pamundur anëtarësimin edhe në INTERPOL.

Atëherë me gazlotsjellës në Kuvend dhe protagonizëm amatoresk nga ish-drejtuesit e MPJ-së. Tash, duke hyrë në zgjedhje për t’ia realizuar ambiciet një individi, i cili u dorëzua rrugës.

Vendimi i Haradinajt për “të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol”, është dorëzim dhe dështimi i radhës i kësaj Qeverie, e cila na i humbi 3 muaj të vlefshëm për lobim duke u marrë me “shitblerje” deputetësh.

E hodhën poshtë punën kolosale të Kryeministrit Mustafa dhe Ministrit Hyseni, duke mos pas guxim e autoritet për ta shtyrë përpara këtë vendim të madh.

Tash presim çfarë do të ndodhë me liberalizimin e vizave, me demarkacionin, me asociacionin, me krijimin e Ushtrisë që u dëmtua për shkak të protagonizmit pa frerë…

“Na duhet qeveri që merr vendime të mëdha”, thoshin dikur ata që sot janë strukur zyrave, e po dështojnë në çdo hap!