LDK në udhëkryq: Një pjesë e partisë dorëzon nënshkrimet për shkarkimin e Abdixhikut, mbështetësit e tij nesër protestojnë para selisë së LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po hyn në një javë vendimtare, teksa po përfundon procesi i verifikimit të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ndërsa për të dielën është paralajmëruar edhe një protestë në mbështetje të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku. Kërkesa për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm u dorëzua këtë javë nga 150…
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po hyn në një javë vendimtare, teksa po përfundon procesi i verifikimit të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ndërsa për të dielën është paralajmëruar edhe një protestë në mbështetje të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Kërkesa për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm u dorëzua këtë javë nga 150 anëtarë të LDK-së, të cilët, përveç mbledhjes së Kuvendit, kërkojnë edhe shkarkimin e Abdixhikut nga posti i kryetarit, transmeton lajmi.net.
Sipas zyrtarit të LDK-së, Shkëmb Manaj, procesi i verifikimit të nënshkrimeve është drejt përfundimit dhe më pas pritet të caktohet data e mbajtjes së Kuvendit.
“Komisioni e ka kryer pjesën më të madhe të verifikimeve. Kanë mbetur vetëm disa delegatë që ende nuk janë lajmëruar. Sapo të përfundojë edhe kjo pjesë, do të caktohet data e Kuvendit. Është vendim i kryetarit të LDK-së, në bazë të përfundimit të procesit. Verifikimi është drejt fundit”, ka deklaruar Manaj për Express.
Ndërkohë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë thirrje për unitet, duke theksuar se partia ka rol kyç në zhvillimet politike në vend.
“LDK di dhe mundet të përballet me agjendën e Republikës, duke iu përgjigjur kërkesave të saj me debat të brendshëm, marrëveshje politike dhe demokraci të brendshme. Periudha post-independente dhe post-rugoviste vetëm një gjë e ka konfirmuar: pa LDK-në nuk ka as zgjidhje, as zgjedhje. Stabiliteti dhe normalizimi i Republikës kalojnë përmes zyrave të LDK-së. Ia kemi borxh anëtarësisë dhe të ardhmes së Republikës. Koha më ka dhënë të drejtë se rikthimi i madh i LDK-së ndodh nga lart-poshtë, me një marrëveshje të madhe politike, pa e dëmtuar demokracinë e brendshme”, ka shkruar Haziri.
Për situatën është deklaruar edhe vetë Abdixhiku, i cili ka bërë të ditur se nuk do të tërhiqet përballë kërkesave për largimin e tij.
“Nuk e kam kërkuar këtë betejë, por nuk do të tërhiqem. Asnjë pozitë nuk është më e madhe se besimi i njerëzve dhe asnjëri prej nesh nuk është më i madh se LDK-ja”, ka thënë Abdixhiku.
Në këtë atmosferë, një grup në Facebook me emrin “Lidhja me Popullin” ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste në mbështetje të Abdixhikut.
Sipas njoftimit, protesta do të mbahet të dielën, duke filluar nga ora 17:00, para Zyrave Qendrore të LDK-së në Prishtinë. Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta është reagim ndaj iniciativës për shkarkimin e kryetarit të LDK-së. Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera lidhur me organizimin e saj./lajmi.net/