LDK: Mitrovica është bërë pronë e PDK’së

Sipas Sadri Feratit, zgjedhjet e 3 nëntorit janë zgjedhje për “tejkalimin e gjendjes së rëndë, në të cilën gjenden qytetarët tanë”. Ferati thotë se Mehdi Jonuzi është menaxher i mirë për Mitrovicën.

Lajme

28/09/2013 18:53

LDK u hyn zgjedhjeve në komunën e Mitrovicës për t’ia marrë “pronën” PDK’së.

Kryetari i Degës së LDK’së në Mitrovicë, Sadri Ferati, në një tubim në lagjen “Tuneli i Parë” në Mitrovicë tha se zgjedhjet e 3 nëntorit janë zgjedhje për “tejkalimin e gjendjes së rëndë, në të cilën gjenden qytetarët tanë” e që, siaps tij, konfirmohet edhe nga hulumtimet dhe raportet e organizatave ndërkombëtare.

“Mitrovica është bërë pronë e PDK-së dhe e disa personave që qeverisin qytetin. Me dalje në votime duhet t’i themi mjaft PDK-së dhe pushtetarëve dhe të dalim nga gjendja që ata na sollën”, tha Sadri Ferati.

“Pushteti e harroi kontributin e minatorëve dhe të shaljanëve duke mos investuar në këtë pjesë, prandaj, pas 4 nëntorit, ne duhet të kemi një zot shtëpie në qytetin tonë, nikoqir dhe menaxher i mirë, që do t’ua kthejë borxhin shaljanëve”.

E ky menaxher, sipas Feratit, është kandidati i LDK’së për kryetar të komunës së Mitrovicës, Mehdi Jonuzi, i cili tha para simpatizantëve se në programin e LDK’së janë përfshirë të gjitha hallet, shqetësimet dhe sugjerimet e  nxjerra nga takimet me qytetarët.

“Jemi këtu për një fillim të mbarë të Mitrovicës, për ta shndërruar në qendër të zhvillimit rajonal, me arsim cilësor, shëndetësi të zhvilluar dhe me kapacitetet që do t’i shfrytëzojnë resurset që kemi nisur nga gjenerata e re e arsimuar e deri te ato natyrore, që do të ndikojnë në kthimin e shkëlqimit dhe dinjitetit të Mitrovicës”.

“Programi ynë qeverisës do të mundësojë zhvillim të balancuar në të gjitha zonat dhe do ta kthejë shkëlqimin e dinjitetin e mitrovicasve, duke përmbushur kërkesat për një jetë më të mirë që nga infrastruktura, kanalizimi, uji pijshëm dhe ndriçimi”, tha Mehdi Jonuzi