LDK mbështet zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit: Çështja po shndërrohet në lojë politike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se LDK mbështet amendamentet kushtetuese që parashikojnë zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët. Në një deklaratë për media, Abdixhiku rikujtoi historikun e këtyre amendamenteve, të cilat janë propozuar dhe hartuar nga LDK që në vitin 2011 dhe kanë kaluar filtrin e Gjykatës Kushtetuese…
Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se LDK mbështet amendamentet kushtetuese që parashikojnë zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët.
Në një deklaratë për media, Abdixhiku rikujtoi historikun e këtyre amendamenteve, të cilat janë propozuar dhe hartuar nga LDK që në vitin 2011 dhe kanë kaluar filtrin e Gjykatës Kushtetuese një vit më pas. Ai shtoi se vitin e kaluar partia ka propozuar sërish zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit si pjesë e përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit institucional, transmeton lajmi.net.
“Zgjedhja e drejtëpërdrejtë e Presidentit, për LDK-në është dhe koncept ideologjik që daton që nga Presidenti Rugova”, theksoi Abdixhiku.
Ai shpjegoi se për 14 vite me radhë këto amendamente nuk kanë arritur të miratohen për shkak të kërkesës për shumicë të dyfishtë, që nënkupton dy të tretat e votave të deputetëve shqiptarë dhe dy të tretat e votave të deputetëve të komuniteteve joshumicë.
Kryetari i LDK-së shtoi se edhe nëse amendamentet miratohen sot, ato nuk do të hyjnë në fuqi para gjashtë muajve, ndërsa afati përfundimtar kushtetues po afrohet me shpejtësi.
“Në këto orë të fundit, mes manovrave politike, çështja e zgjedhjes së Presidentit po shndërrohet më shumë në një lojë për atribuim fajësie sesa në një përpjekje të sinqertë për zgjidhje”, tha Abdixhiku, duke theksuar se reforma kushtetuese duhet trajtuar me përgjegjësi dhe në një proces të rregullt, që, në mungesë të mbështetjes, do t’i takojë legjislaturës së ardhshme.
Ai theksoi gjithashtu se LDK ka qenë dhe mbetet e hapur për çdo reformë që synon forcimin e legjitimitetit demokratik dhe stabilitetit institucional të Kosovës./lajmi.net/