LDK kërkon që lënda e Mujës të dërgohet në Gjykatën e Apelit

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, në 1 vjetorin e shpalljes së dënimit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Mujës dhe të bashkëpunëtorëve të tij, shpreh shqetësimin për zvarritjen e kësaj çështje nga ana e organeve të drejtësisë.

Lajme

13/03/2015 15:19

Anëtarë të kësaj dege të LDK-së, thonë se kryetari Muja ka treguar mosrespekt ndaj qytetarëve të Prizrenit, duke thyer normat morale e njerëzore.

LDK- dega në Prizren me anë të një komunikat,e ka kërkuar nga organet e drejtësisë, që lënda e Mujës të dërgohet sa më shpejtë në Gjykatën e Apelit.

“Ky kryetar, e ka humbur rrugën në oborrin e shtëpisë. Askund në botën demokratike, një i dënuar nuk denjon ta ushtrojë pozitën e kryetarit të Komunës. Askund në botën demokratike, nuk ndodh që një i dënuar të mos jep dorëheqje. Me këtë, ky kryetar, iu tregon qytetarëve të Prizrenit, se nuk i respekton qytetarët, nuk i respekton normat morale e njerëzore, e sa për ato ligjore, mos të flasim fare”.

“ Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, i bën thirrje organeve të drejtësisë, që të kryejnë obligimet e tyre ligjore, dhe ta procedojnë sa më shpejt në Gjykatën e Apelit, lëndën e të dënuarit Ramadan Muja!”, thuhet në komunikatë.

LDK shpreson se kryetari i dënuar, Ramadan Muja, nuk do ta festojë 2 vjetorin e dënimit të tij, në pozitën e kryetarit të komunës në Prizren.