LDK kërkon hetim të menjëhershëm nga organet e drejtësisë, pas publikimit të mesazheve mes Dejona Mihalit e Nagip Krasniqit
Partia opozitare në kuvend Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë për hetim të menjëhershëm pas publikimit të mesazheve të kordinatores së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dejona Mihali dhe ish-kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi në lidhje me reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë e çështjeve të tjera. Përmes një komunikate të…
Lajme
Partia opozitare në kuvend Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë për hetim të menjëhershëm pas publikimit të mesazheve të kordinatores së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dejona Mihali dhe ish-kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi në lidhje me reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë e çështjeve të tjera.
Përmes një komunikate të lëshuar kjo parti thuhet se shqetësimet e ngritura nga LDK-ja për aktivitetet kriminale, punësimet e paligjshme dhe tenderët sekretë kanë qenë plotësisht të sakta.
“Raportimet e medieve gjatë dy ditëve të fundit, për përfshirjen direkte të strukturave parapolitike partiake të Lëvizjes Vetëvendosje në ndërmarrjen publike KEK dhe së këndejmi në aferat korruptive të Nagip Krasniqit e Martin Berishajt, vërtetojnë se shqetësimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës për aktivitetet kriminale, punësimet e paligjshme dhe tenderët sekretë kanë qenë plotësisht të sakta”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se LDK, në vazhdimësi ka folur për ekzistencën e një strukture kriminale parapolitike të partisë në pushtet.
“LDK-ja në vazhdimësi ka folur për ekzistencën e një strukture kriminale parapolitike të partisë në pushtet, që nëpërmjet një skeme shumë mirë të organizuar e të kontrolluar deri në detaje – nga menaxhimet e komunikimeve ditore, tek oraret e reduktimeve të energjisë elektrike për qytetarët; nga punësimet e paligjshme, deri tek 150 tenderët sekretë – ka organizuar një skemë kriminale pa frikën e përgjegjësisë dhe pa brengën e llogaridhënies”.
Ndër të tjera në komunikatë thuhet se LDK-ja do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat institucionalë, ligjorë e kushtetues për të zbardhur deri në fund të gjitha rastet e krimit, të korrupsionit dhe të keqpërdorimeve.
“Njëkohësisht, LDK-ja i bën thirrje organeve të drejtësisë për hetim të menjëhershëm, që personat dhe struktura kriminale përgjegjëse të dalin para drejtësisë”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/