Osmani pas denimit të Hagës: Vrasjet e krimet e Serbisë mbesin pa përgjigje nga drejtësia ndërkombëtare, UÇK-ja ishte betimi i njerëzve që donin çlirim

Ish-Presidentja e Kosovës, njëherit deputete e LDK-së, Vjosa Osmani ka shkruar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ajo ka thënë se UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë, dje, sot dhe përjetësisht. “Mbi 13 mijë njerëz janë vrarë nga Serbia gjenocidale gjatë luftës në Kosovë. Prej…

Lajme

16/09/2026 13:05

Ish-Presidentja e Kosovës, njëherit deputete e LDK-së, Vjosa Osmani ka shkruar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ajo ka thënë se UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë, dje, sot dhe përjetësisht.

“Mbi 13 mijë njerëz janë vrarë nga Serbia gjenocidale gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, rreth 10 mijë ishin civilë të masakruar, ndërsa më shumë se 1500 ende mbesin të zhdukur me dhunë dhe në varreza masive. Dhunimet seksuale, torturat çnjerëzore, vrasjet e fëmijëve dhe krimet e tjera të llahtarshme të Serbisë ende mbesin pa përgjigje nga drejtësia ndërkombëtare; ndërkaq, Serbia vazhdon t’i mohojë krimet dhe t’i shpërblejë kriminelët. Populli i Kosovës u ngrit pikërisht kundër këtyre krimeve dhe në mbrojtje të pragut të shtëpisë. UÇK-ja ishte ushtria e popullit të Kosovës; ishte betimi i përgjakur i njerëzve të shtypur që donin çlirimin e atdheut të tyre. Prandaj, sot e përgjithmonë, do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare. Shteti i pavarur e sovran i Kosovës është amaneti ynë i përbashkët”, ka shkruar Osmani. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: