LDK-ja ia fshinë prej programit “Bankën Zhvillimore” Albin Kurtit

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premtën programin e saj qeverisës, për periudhën 2020-2023, në të cilin ka pasqyruar qasjen dhe parimet që do të ndiqen përgjatë qeverisjes.

Lajme

06/03/2020 22:10

Në programin 45-faqësh, ekzekutivi ka theksuar se qeverisja do të fokusohet në përmirësimin e gjendjes në ato fusha, ku nuk ka progres të ndjeshëm, si në: drejtësi; ekonomi dhe punësim; arsim; shëndetësi; siguri integrime euro-atlantike dhe mjedis.

Por, marrë parasysh disa nga premtimet që Kurti i ka dhënë gjatë zgjedhjeve të fundit, por edhe programin të cilin e ka proklamuar në vazhdimësi, disa pika mungojnë në këtë plan qeverisës.

Hapja e Bankës Zhvillimore në Kosovë është njëri nga premtimet elektorale kryesore të Albin Kurtit, shkruan lajmi.net.

Kjo bankë, bazuar në premtimet e Albin Kurtit gjatë zgjedhjeve do të mund të nisë së operuari brenda dy viteve. Por, ai projekt si i tillë mungon në programin e prezantuar sot nga kryeministri Kurti.

Për Bankën Zhvillimore janë thurë edhe disa rreshta tek prioritet që kishte paraqitur Lëvizja Vetëvendosje në raportin për qeverinë në ardhje.

“Banka Zhvillimore do të jetë komponenti kreditues, i cili do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, dhe që do të investojë në degë të caktuara të industrisë që krijojnë vende pune e përmirësojnë bilancin tregtar duke u përqendruar në rritjen e eksporteve e zëvendësimin e importeve”, thuhet aty.

Në dokumentin ku paraqiten prioritetet e qeverisë Kurti 2020 -2023 flitet edhe për krijimin e Fondit Sovran dhe Agjencisë Zhvillimore.

Fondi Sovran është paraqitur në program, ndërsa as Agjenci zhvillimore nuk ekziston.

Por, siç duket Banka Zhvillimore është zëvendësuar me projektin Fondi Zhvillimor. Ky projekt është paraqitur në programin e qeverisë të Kurtit, bazë e të cilit pretendohet të jenë mjetet financiare të privatizimit, investimet nga mërgata dhe burimet tjera,që do të mbështesnin idetë inovative në vend.

Lajmi.net nga burimeve veta ka mësuar se partneri i koalicionit LDK-ja ka kërkuar që të hiqet nga programi Banka Zhvillimore, dhe të zëvendësohet me Fondin Zhvillimor.

Kurse, Hekuran Murati, që tashmë është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës së fushatës së mbajtur në Kosovë kishte treguar se si kjo bankë do të themelohet dhe si do të financohet.

Ai ka treguar se kapitali fillestar i kësaj banke do të jetë 50 milionë euro.

“Kapitali fillestar do të jetë kapital shtetëror, kapitali i themelimit të bankës që mundet me qenë diku rreth 50 milionë euro. Ndërsa financimi i vazhdueshëm do të jetë prej shitjes së letrave të borxhit të garantuara nga shteti. Pra, në këtë mënyrë krijohet financimi i vazhdueshëm dhe krijohen mjetet për të lëshuar kredi për zhvillim të industrive të caktuara, si fokus do të jetë bujqësia dhe industria ushqimore me synim të zëvendësimit të importit”, kishte thënë ai.

Murati ka treguar se kjo bankë zhvillimore mund të filloj brenda vitit të parë ose të dytë.

“Kredia e parë kur do të lëshohet, është vështirë të thuhet, por po besoj që duke i marrë parasysh procedurat, ku duhet marrë licencë nga banka qendrore, por mundet me qenë brenda vitit të parë ose brenda vitit të dytë”.

Murati kishte thënë se norma e interesit mund të jetë 2 deri në 2.5%.

“Se sa do të jetë përqindja e interesit, kjo do të bëhet në koston e huamarrjes, e cila aktualisht për shtetin është nën 2%, shto aty tani edhe një marzhë të administrimit edhe mund të jetë 2 deri në 2.5 % norma e interesi, pra po flasim për kredi të butë, me afat të gjatë të kthimit dhe me grace periudhë”.

Banka të tilla ka në Kroaci, Slloveni, Hungari, Danimarkë.

Por, në Kosovë, sipas Vetëvendosjes,  Banka Zhvillimore do të shërbente shumë në funksion të ekonomisë, duke ofruar kredi afatmesme dhe afatgjata për sektorët me potencial por që i’u mungon qasja në kapital.

Bankat zhvillimore zakonisht financohen nga shteti dhe lëshojnë instrumente të borxhit me periudha afatgjata. Shpesh ndodh që edhe shtetet tjera të kontribuojnë me kapital si formë e ndihmës për të përmirësuar ekonominë e një vendi, dhe si kanal më i përshtatshëm për planifikim dhe zbatim të projekteve se sa nëpërmjet qeverive. Në Kosovë, Banka Zhvillimore mund të krijohet me anë të kontributit nga buxheti i Qeverisë, sa për fillim; lëshimi i letrave me vlerë (obligacioneve) për të cilat garant do të jetë qeveria; kredi afatgjate nga bankat zhvillimore rajonale dhe ato nga shtetet e zhvilluara (për shembull: BERZH, KfË etj); dhe pjesëmarrja me kapital të shteteve mike, të cilat do ta zvogëlonin riskun dhe si rezultat koston e financimit.

Në Kosovë sot operojnë 10 banka komerciale dhe përbëjnë 67.5 për qind të aseteve totale të sektorit financiar. Në të njëjtën kohë, bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë të kenë fitime marramendëse. /Lajmi.net/