LDK i reagon Kurtit për deklaratën: Kush e rrezikon miqësinë me SHBA, rrezikon ekzistencën e vetë shtetit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve dhe qasjes së Kryeministrit Albin Kurti karshi aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes një postimi në rrjete sociale, ajo ka thënë se Kurti po hyn në histori si “njeriu që po e shkatërron miqësinë më të shenjtë të popullit tonë”,…

Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve dhe qasjes së Kryeministrit Albin Kurti karshi aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ajo ka thënë se Kurti po hyn në histori si “njeriu që po e shkatërron miqësinë më të shenjtë të popullit tonë”, duke e cilësuar këtë si aventurizëm politik me pasoja të rënda për Kosovën.
“Këto ‘jo’-të e Kurtit janë po-ja më e madhe për izolimin e Kosovës!”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.
Ajo ka rikujtuar kontributin historik të SHBA-së në lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke thënë se pa ndërhyrjen e NATO-s të udhëhequr nga Amerika, nuk do të kishte liri, pavarësi e as njohje ndërkombëtare për vendin.
“Sot, ai partner që na qëndroi pranë në ditët më të vështira, po dëgjon nga ‘Kryeministri’ i Kosovës fjalë fyese dhe veprime të papërgjegjshme. Pasojat janë të qarta: ndëshkime nga aleatët, izolim ndërkombëtar dhe dobësim i pozitës së Kosovës në rajon,” ka shkruar ajo.
Në fund, deputetja e LDK-së ka theksuar se Kosova nuk është pronë e një personi dhe se askush nuk ka të drejtë të rrezikojë miqësinë me Amerikën, të cilën ajo e konsideron themel të shtetësisë së Kosovës.
“Kosova është amanet i gjeneratave që dhanë jetën për liri dhe i miqësisë me Amerikën që na e garantoi atë liri. Kush e rrezikon këtë miqësi, rrezikon ekzistencën e vetë shtetit,” përfundon reagimi i saj.