LDK e quan VV qeveri të lëmoshës e varfërisë për qytetarët

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur sonte tubim elektoral në Mitrovicë, ku u tha se gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës synojnë anëtarësimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, dhe zhvillimin e mirëfilltë ekonomik. Kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë Kurti për dështim në realizimin e premtimeve për qytetarët. Ai ka shpalosur prioritetet e…

Lajme

18/01/2025 22:17

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur sonte tubim elektoral në Mitrovicë, ku u tha se gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës synojnë anëtarësimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, dhe zhvillimin e mirëfilltë ekonomik.

Kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë Kurti për dështim në realizimin e premtimeve për qytetarët.

Ai ka shpalosur prioritetet e qeverisë së tij prej 5 miliardë euro në investime, 5 për qind rritje ekonomike, si dhe rritje të pagave për punonjësit në institucionet publike.

Edhe kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, ka kritikuar qeverisjen e deritashme, duke thënë se ka varfëruar qytetarët, duke mos ngritur pagat dhe duke ofruar lëmoshë.

“Është kjo qeveri që na ka varfëruar, na i ka ngritur çmimet, që nuk na ka ngritur rrogat dhe një qeveri që ofron lëmosha 10 deri në 100 euro, e që në përkthim i bie 27 centë në ditë për pensionistët dhe fëmijët tanë”, tha ai.

Gjatë tubimit u prezantuan kandidatët për deputetë nga kjo komunë, të cilët do të synojnë të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe ndërtimin e një vendi më të mirë.