LDK do FARK e jo FAK

LDK kërkon që FAK të bëhet FARK, që të përfshihet edhe emri Republikë. Ismet Beqiri, thotë se Ibrahim Rugova, i cili edhe ka propozuar emërtimin FARK, ka parë edhe pas kodrës, e këta që po e kundërshtojnë sot, sipas tij, nuk shohin përtej hundës së tyre.

Lajme

10/03/2014 12:42

Lidhja Demokratike e Kosovës do të kërkojë që në Forcat e Armatosura të Kosovës të ekzistojë edhe emërtimi Republikë.

Pra, që FAK, shkurtimisht të quhet FARK, e emri i plotë të jetë: Forcat e Armatosura të Republikës ës Kosovës.

Përndryshe FARK quhej formacioni i formuar para luftës nga ish Qeveria e Kosovës në ekzil.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri thotë se shndërrimi i FSK’së në FAK në këtë moment po bëhet për shkaqe elektorale nga ana e Kryeministrit Thaçi.

“Ne mendojmë që kjo është një fushatë politike elektorale e z.Thaçi. FSK’ja, gjegjësit kjo çështje nuk është e një urgjence të tillë. Po shihet se qëllimi është shumë i qartë që është më shumë për mendimin tonë, elektoral.”

“Ne kur të vije koha kemi edhe vërejtje tek emërtimi. Unë sot po e them se nuk shohim asnjë arsye të mungon edhe emërtimi “Republikës së Kosovës”. Pse të mos quhen Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës sepse ne jemi Republikë e Kosovës dhe nuk jemi veç shteti i Kosovës”.

Ismet Beqiri thotë se Presidenti Ibrahim Rugova i ka menduar më larg gjërat, kur është përcaktuar për emërtimin FARK.

Ai thotë se edhe sot LDK kërkon që në emërtimin e FAK’ut të ekzistojë edhe termi ‘Republikë’.

“Po pse të ketë reagime. Nëse dikush është shumë i mençur dhe ia ka qëlluar që më herët me emërtimin siç ka qenë Presidenti Rugova, atëherë pse të ketë reagime”.

“Nëse është interesi i të gjithë neve që të kemi Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës dhe nëse e ka thënë më herët Presidenti Rugova, qesharake dhe absurde të ketë reagime nga kushdo qoftë ai që bën një reagim të tillë, për diçka që është në interes të vendit”.

“Po kjo tregon edhe njëherë se ai (Rugova) ka parë pas kodrës për dallim prej disave që edhe sot nuk shohin përtej hundës së tyre”.

“Nuk është qëllimi i LDK’së, po të ketë një mundësi që të pyeten qytetarët unë jam i bindur që do ta kishin këtë dëshirë, këtë vullnet dhe këtë kërkesë. Nuk është punë partie”.

Ismet Beqiri thotë se LDK’ja nuk do të pranojë kushtëzimin nga komunitetet jo shumicë, të cilët kanë përsëritur kërkesën e tyre se nëse hapet Kushtetuta për t’u bërë ndryshimet e duhura për FAK, se do të insistojnë edhe për vazhdimin e vendeve të rezervuara.

Ai thotë se LDK akoma mban të njëjtin qëndrim sa i përket vendeve të rezervuara.

“Në asnjë rrethanë LDK’ja nuk do të pranojë kushtëzimin që kjo eventualisht të kaloj në mënyrë që të votohet për vendet e rezervuara. Sot po e them, qëndrimi i LDK’së është ai që ka qenë dhe mbetet, ne nuk do të përkrahim dhe nuk do të votojmë vazhdimin e vendeve të rezervuara për komunitetet jo shumicë”.

“Nuk shohim asnjë arsye që të hyhet tash me ndryshime kushtetuese dhe kjo hap mundësinë e çështjeve të tjera për çka ne si LDK nuk pranojmë dhe as s’do të bëhemi pjesë e ndryshimeve kushtetuese që e dëmtojnë vendin. Dhe për ne dëmtim i vendit, i interesave të vendit, është eventualisht kërkesa që është paraqitur nga komunitetet për vazhdim të vendeve të rezervuara”.

“Ne po ë bëjmë të qartë se në asnjë rrethanë nuk do të votojnë rekomandimet që mundësojnë vazhdimin e vendeve të rezervuara për komunitetet jo shumicë”.