Largimi i Trump- Çfarë është Amendamenti i 25-të dhe si mund të aktivizohet?
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka më pak se dy javë për t’u larguar nga zyra e tij, por anëtarët e kabinetit të tij raportohet se po shqyrtojnë mënyra për t’ia marrë fuqitë presidenciale sa më shpejt, pasi që përkrahësit e tij ishin futur në Kongres të mërkurën, raporton BBC.
Bota
Demokratët dhe Komiteti Juridik po ashtu i kanë shkruar letër zëvendëspresidentit Mike Pence, duke i kërkuar që ta largojë Donald Trumpin nga zyra e tij, duke shtuar se ai nxiti një akt të kryengritjes dhe kërkoi të “minonte demokracinë”.
Diskutimet janë duke u sjellë te Amendamenti i 25-të i Kushtetutës së SHBA-së, që lejon bartjen e pushtetit nga presidenti te zëvendëspresidenti, në mënyrë të përkohshme apo të përhershme.
Ky amendament e lejon zëvendëspresidentin, që të bëhet ushtrues i detyrës së presidentit, në rast se presidenti nuk është në gjendje të kryej detyrat e tij, si për shembull, nëse ai nuk ka kapacitet fizik për të bërë këtë apo ka ndonjë sëmundje mentale.
Pjesa e amendamentit që po diskutohet është neni 4, që lejon zëvendëspresidentin dhe shumicën e kabinetit ta shpallin presidentin Trump të paaftë për të kryer detyrat e tij.
Duhet të firmosin një letër dhe t’ia dërgojnë kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senati ta shpall presidentin të paaftë për të qeverisur.
Në këtë rast zëvendëspresidenti Mike Pence automatikisht do ta merrte postin e ushtruesit të detyrës së presidentit deri te inaugurimi i Joe Bidenit më 20 janar.
Presidentit i jepet mundësia të shkruajë një reagim me shkrim dhe nëse ai konteston të gjeturat, atëherë mbetet te Kongresi të vendosë. Çdo votim në Senat dhe Shtëpinë e Përfaqësuesve për të kërkuar largimin e presidentit, kërkon 2/3 e votave.
Derisa çështja të mos zgjidhet, zëvendëspresidenti do të kryente rolin e presidentit.
Diskutimet për të aktivizuar Amendamentin e 25-të nisën edhe pasi Trump u infektua me COVID-19 në tetor të vitit të kaluar, nga shqetësimi se shkaku i sëmundjes ai nuk do të mund të drejtonte vendin.
Amendamenti i 25-të është ratifikuar në vitin 1967, katër vjet pas vrasjes së John F Kennedys, dhe ka për qëllim t’i adresohet pyetjeve për pasardhësin e presidentit nëse një president nuk është i aftë ta drejtojë vendin.
Për këtë arsye, një numër i presidentëve kanë përdorur amendamentin – veçanërisht nenin 3 – që lejon që ata të bartin përkohësisht pushtetin te zëvendëspresidentët.
Në vitin 2002 dhe 2007, presidenti George W. Bush e vendosi zëvendëspresidentin në krye gjatë, kur mori qetësues gjatë një kolonoskopie rutinore. Presidenti Ronald Regan e bëri të njëjtën gjë në vitin 1985, kur u shtri në spital për t’u operuar nga kanceri.
Por deri më tash, asnjë president nuk është larguar përhershëm duke u përdorur Amendamenti i 25-të.