Largimi gradual nga prezenca statike mbi Urën e Ibrit, NATO: S’mund të japim afate e detaje operacionale

Për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë, NATO ka vendosur që të rregullojë praninë e saj të përgjithshme në Republikën e Kosovës. Ky adaptim do të përfshijë edhe prezencën e përhershme të trupave të KFOR-it të cilët prej vitesh qëndrojnë mbi Urën e Ibrit. Siç është konfirmuar nga një zyrtar i NATO-s për Gazetën…

Lajme

03/09/2026 19:48

Për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë, NATO ka vendosur që të rregullojë praninë e saj të përgjithshme në Republikën e Kosovës. Ky adaptim do të përfshijë edhe prezencën e përhershme të trupave të KFOR-it të cilët prej vitesh qëndrojnë mbi Urën e Ibrit.

Siç është konfirmuar nga një zyrtar i NATO-s për Gazetën Express, se ndryshimi gradual i prezencës statike mbi Urën e Ibrit bazohet në disa kushte dhe është pjesë e një procesi më të gjerë të optimizimit të strukturës së KFOR-it në Kosovë.

Nga NATO, në përgjigjen e dhënë për Express kanë potencuar se s’mund të ndajnë afate kohore dhe detaje operacionale sa i përket këtij transferi të përgjegjësive tek Policia e Kosovës sa i përket Urës së Ibrit.

“Kalimi gradual i pozicionit të përhershëm të KFOR-it në Urën e Ibrit është pjesë e procesit më të gjerë të optimizimit dhe pasqyron situatën e përmirësuar të sigurisë. Kalimi bazohet në kushte dhe koordinohet ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe palët e tjera të interesuara përkatëse. Nuk mund të hyjmë në detaje dhe afate kohore operacionale.”, ka thënë një zyrtar i NATO-s.

Ai tutje ka shtuar se KFOR-i do të vazhdojë të mbajë një prani të dukshme në veri dhe jug të Mitrovicës dhe në të gjithë veriun e Kosovës.

“KFOR-i mbetet i përgatitur për t’iu përgjigjur zhvillimeve përkatëse të sigurisë në përputhje me mandatin e tij të OKB-së.
Vendimet në lidhje me praninë e KFOR-it në urën në Mitrovicë bazohen në një vlerësim të situatës së sigurisë. KFOR-i nuk ka mandatin për të vendosur nëse ura duhet të hapet apo jo. I takon BE-së dhe institucioneve përkatëse në Kosovë të vendosin, pasi KFOR-i të përfundojë praninë e tij të përhershme në urë. Personeli i KFOR-it do të mbetet i pranishëm në zonat përreth”, ka shtuar tutje.

Derisa në fund, sa i përket anulimit të takimit të Komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutas dhe kryeministrit Albin Kurti, ky zyrtar i NATO-s ka thënë se nuk ndajnë detaje.

“Së fundmi, ne nuk ndajmë detaje rreth orareve ose takimeve të zyrtarëve të NATO-s dhe komandantëvetë misioneve të udhëhequra nga NATO”, ka përfunduar ky zyrtar.