Lamtumira e Çeliktë

Njëri ndër themeluesit e partisë së dalë nga njerëzit që e drejtuan luftën e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ka dhënë fund sonte dilemave disamujore. Fatmir Limaj tha se nuk është më në PDK dhe tash e tutje do të vazhdojë në një subjekt të vetin politik

Lajme

04/02/2014 19:56

Fatmir Limaj nuk është më pjesë e PDK’së.

Njëri ndër themeluesit e kësaj partie të dalë nga njerëzit që e drejtuan luftën e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ka dhënë fund sonte dilemave disamujore.

Limaj, tash e tutje, politikën do ta vazhdojë një një subjekt të vetin politik.

“Unë nuk jam më në PDK. Jo tash, por që prej vitit 2012… Do të dal me një ofertë të re politike, së shpejti”, ka deklaruar Fatmir Limaj, në intervistë për RTK.

Gjatë viteve të qëndrimit në PDK, Limaj arriti të shkonte deri te Nënkryetari i Parë. Për një mandat qeverisës ka drejuar edhe Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, e cila, duke qenë ministria me buxhetin më të madh në Qeveri, i dha famë Limajt falë projekteve të asfaltimit të rrugëve.

Por, përveç famës, drejtimi i kësaj ministrie i solli edhe telashe me drejtësinë.

Në vitin 2010, hetuesit ndërkombëtarë hynë në zyrën e tij dhe i konfiskuan dokumentacion për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në tenderë.

Njëkohësisht ai u përball me një akuzë tjetër për krime lufte.

Pavarësisht se doli i pafajshëm në të dyja rastet, ankesat e prokurorëve ndaj aktvendimeve të gjykatës i kanë të dyja proceset gjyqësore në rigjykim.

Përveç këtyre, EULEX së fundi ka konfirmuar se është duke hetuar një rast tjetër të dyshimeve të keqpërdorimit me tender në MTPT’në e Limajt ku ai ëshët gjithashtu i dyshuari kryesor.

“Unë jam një nga themeluesit e PDK’së. E kam Zotin dëshmitar dhe qindra njerëz rreth vetes që krejt çka kam ditë, e kam dhënë për këtë parti. Jam munduar si gjithë të tjerët, kam besuar thellësisht në vlerat e PDK’së, dhe si rezuktat i kësaj PDK ka kaluar trauma të mëdha, ka humbur shumë zgjedhje por asnjëherë nuk është thyer, nuk është dëshpëruar, nuk është përçarë, ka ruajtur unitetin, ka ruajtur debatin”, tha Limaj në RTK.

“Nga ajo që ka ndodhur nga 2009, e deri në Kongresin e PDK’së, unë nuk po i njoh më ata njerëz. Nuk është ajo parti më ashtu si ka qenë”.

“Është e panjohur për mua kush flet në emër të PDK’së”.

Pozicionin aktual timin e kanë të njohur gjithë bashkëpunëtorët e mi. Unë asnjëherë nuk e kam pranuar atë nominim që m’u ka bërë aty”.

“Kongresi është kulmi i pikës së zezë”.

“Nga 2012, unë nuk e kam parë veten pjesë e atij organizimi”.

“Sot po e them se nuk jam më pjesë e PDK’së”.

“Ne shumë shpejt so të dalim me një ofertë të re. Edhe unë edhe, z. Jakup Krasniqi, edhe të tjerë”.

Problemet e Limajt me PDK duket se datojnë që nga periudha e paszgjedhjeve të vitit 2010.

“Kemi pasur zëra kundër koalicionit, është marrë një vendim. Kemi pasur zëra të ndryshëm rreth Presidentit, është marrë një vendim. Unë kam qenë për koalicion me AAK’në për shkak të z. Haradinaj dhe situatës ku ndodhej ai në atë kohë”.

“Partia ka hyrë në Kongres dhe ka dalë më e dobët se që ka qenë para Kongresit. Unë mendoj se ky ka qenë kulmi i degradimit”.

“Jemi në konsultime për emrin dhe shumë shpejt do të bëhet zyrtarizimi”, ka thënë Limaj.

“Votuesi i PDK’së ka qenë me zemër i lidhur me këtë parti. Ata përfaqësojnë idealet për të cilat kemi luftuar. Ata kanë qenë të lidhur me shpirt me PDK’në”.

“Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar. Ka qenë në interes të Kosovës dhe kemi bërë çdo gjë që kemi mundur për interes të Kosovës”.

“Kam kërkuar ta reformojmë PDK’në, të kthehemi në vlera dhe parime tona. T’u jepet mundësia njerëzve që kanë punuar për këtë vend”.

“Unë jam i hapur për bashkëpunim me Thaçin në alternativa të ndryshme”.

“Ka ardhur momenti kur sot i shoh gjërat ndryshe. Shikoni qeverisjen, nuk është ajo qeverisje e z.Thaçi. Kjo qeverisje nuk është ajo që ne e kemi ëndërruar”, tha Fatmir Limaj.

______________________

(E plotësuar, 21:28)

Fatmir Limaj ka kritikuar procesin e privatizimit, duke thënë se institucionet e vendit duhet të merren me kontratat që janë bërë me spin-off special, listë në të cilën hyjnë ndërmarrjet kryesore kosovare të privatizuara deri më tash.

“Duhet të bëhet një ekspertizë profesionale… Aty ku nuk janë përmbushur kontratat, duhet të ndërmerren masa”.

“Ata që nuk kanë përmbushur kushtet e kontratës, duhet të saknsionohen me ligj”.

“Kushdo që do të jetë në qeverisje nesër nuk do ta ketë të lehtë që të përballet me problemet ekonomike”, ka thënë Limaj.

______________________

 

E plotësuar, 21:05

Rreth rezultatit të zgjedhjeve, Limaj tha se qytetarët i kanë dënuar me vote partite në disa komuna të Kosovës.

Sipas tij, liderët janë larguar nga populli i vet.

“Pas zgjedhjeve kemi pasur qasje të ndryshme të leximit të rezultateve. Secili e ka lexuar rezultatin në anën e vet. Të gjithë kanë thënë se kanë fituar. Jam I bindur se grupet politike nga Brenda e lexojnë më ndryshe rezultatin dhe shpresoj se e lexojnë më ndryshe”.

“Njerëzit në vendin tonë nuk kanë pasur oferta, nuk kanë pasur zgjidhje. Mirë mirë se herën e kaluar po, por jo shumë. Qytetarët janë lodhur nga një transicion i stërzgjatur, të cilit ende nuk po i shihet fundi”, tha Limaj.

“Njerëzit janë skeptikë nga premtimet sepse ato po dalin të parealizueshme”.

“Pushtetarët qoftë në nivelin lokal apo qendror janë larguar nga hallet e qytetarëve”.

“Mënyra se si sillen nga lart, nganjëherë del e huaj për qytetarët poshtë. Si rezultat i kësaj, njerëzit tanë e kanë humbur shpresën për një ndryshim për të mirë”.

“Vota është reagim qytetar që bëhet një herë në katër vite. Ka një ndëshkim të përgjithshëm. Leximi më I rëndësishëm që politikanët duhet t’ia bëjnë këtij rezultati është që ai qytetarii thjeshtë, bujku, pensionisti e din saktë se cka po thoni”, u shpreh Fatmir Limaj.

____________________

 

Fatmir Limaj dha sonte arsyen pse mbështeti Iniciativën Qytetare të Malishevës, e cila e përbërë nga njerëzit e dikurshëm të PDK’së, e hodhi PDK’në në opozitë në këtë komunë.

Në intervistën të cilën po e jep në RTK, Limaj tha se nuk e ka mbështetur IQM’në kundër PDK’së, por këtë e ka bërë për ta mbështetur ndryshimkin, të cilin, sipas tij, e kishin kërkuar malishevasit.

“Veprimet e mia gjithmonë i kam marrë nga bindja ime. Edhe në Malishevë situate ka qenë e njëjtë”.

“Kam analizuar cili është vullneti I qytetarëve. Kam parë vullnetin për ndryshim në Malishevë dhe e kam mbëhstetur atë ndryshim. Doli që përcaktimi im ishte i drejtë”.

“Kam mbështetur qytetarët e Malishevës për ndryshim dhe ndryshimi ka ardhur”.

“Në këtë mandat të deputetit më tepër i kam përcjellë zhvillimet si vëzhgues”.

“Vëzhgimi im nuk dallon shumë nga ai që e shoh si mendim i përgjithshëm i qytetarëe të Kosovës”, tha Limaj.

“Kam pasur rastin të takoj njerëz të shtredsave të ndryshme, të nevojave të ndryshme”.

“Është punuar në vendin tonë, por është një mendim i përgjithshëm se ka mundur të punohet më shumë”.