Lampard braktis Anglinë

Pas Chelseas, Frank Lampard ka vendosur t’i thotë lamtumirë edhe Kombëtares angleze. Mesfushori ka bërë të ditur se do të pensionohet nga futbolli ndërkombëtar, pas përfundimit të Kampionatit botëror në Brazil.

Sport

03/06/2014 23:11

Frank Lampard ka njoftuar se do të pensionohet nga Anglia, pas Kampionatit botëror.

35-vjeçari do të jetë kapiten i Anglisë në miqësoren kundër Ekuadorit të mërkurën, në përgatitje për fillimin e garës në Brazil.

I pyetur nëse Kampionati botëror do të jetë gara e lamtumirës për të, Lampard tha për BBC Radio 5 Live: “Ashtu duket”.

“E kam të vështirë të gjej fjalë për ta përshkruar, sepse jam shumë krenar që luaj për vendin tim”. Lampard, i cili ka bërë 103 paraqitje ndërkombëtare, po ashtu konfirmoi largimin nga Chelsea.

“Kush e di se çka do të ndodh? Shpresojmë të kalojmë një Kampionat botëror të suksesshëm e pastaj do të flas”, u shpreh ai.

Selektori i Anglisë, Roy Hodgson ka në dispozicion të gjithë futbollistët për miqësoren kundër Ekuadorit në Miami.