Lajm i mirë: Përfundon me sukses operimi i Erjon Vishkullit, i shpëton syri
Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila njoftoi se ndërhyrja ka bërë të mundur shpëtimin e organit të syrit.…
Lajme
Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila njoftoi se ndërhyrja ka bërë të mundur shpëtimin e organit të syrit.
Ministrja i uroi Erjonit shërim të shpejtë, duke theksuar se, pavarësisht suksesit të operacionit, rrugëtimi drejt rikuperimit të shikimit do të vijojë me durim dhe besim.
“Erjon Vishkulli, e ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë, e cila e ka shpëtuar organin e syrit të djalit.
Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare dhe me mirënjohje të thellë, falënderova profesor Stanislao Rizzon, i cili me profesionalizëm të lartë, përkushtim dhe ndjeshmëri njerëzore kreu me sukses ndërhyrjen, ndërkohë që qeveria miratoi po sot edhe mbështetjen financiare për Erjonin.
Përtej dijes dhe aftësisë profesionale, është pikërisht kjo anë njerëzore, bashkimi i forcave te humanizmi që i bën kaq të veçanta këto situata.
Erjonit i uroj nga zemra shërim të mbarë dhe forcë në çdo hap të mëtejshëm. Suksesi i ndërhyrjes është një lajm i mirë, ndërsa rrugëtimi drejt rikthimit të dritës së syrit do të vijojë me durim e besim.
Mirënjohje të sinqertë profesor Rizzos për atë që bëri dhe përgëzime familjes e miqve të Erjonit”, shkruan Spahiu.