“Lajçaku, gazetarja, gazi i traktorit të fermerit”: Kurti s’la gjë pa relativizuar
Presioni i djeshëm nga SHBA-ja dhe BE-ja – të cilat në të njëjtën ditë kërkuan zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe – shkaktoi që Kurti të relativizonte diskursin në zhvillimet në rrafshin ndërkombëtar. Nëpërkëmbja e gazetarëve nga institucionet dhe mungesa e transparencës së tyre u jetësua nga kryeministri, i cili gjatë ditës tha…

Lajme
Presioni i djeshëm nga SHBA-ja dhe BE-ja – të cilat në të njëjtën ditë kërkuan zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe – shkaktoi që Kurti të relativizonte diskursin në zhvillimet në rrafshin ndërkombëtar. Nëpërkëmbja e gazetarëve nga institucionet dhe mungesa e transparencës së tyre u jetësua nga kryeministri, i cili gjatë ditës tha se “u ndjek nëpër ara” nga një gazetare për t’u pyetur për takimin që pati të enjten me ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Teksa bisedonim me bujqit, gazetarja që na ndiqte nëpër ara po më pyeste me insistim për Lajçakun. Unë e pyeta traktoristin për Lajçakun, por ai tundi kokën e i dha gaz traktorit”, shkroi ndër të tjera Kurti, një ditë pasi Raporti i Progresit të potenconte trendin në rritje të denigrimit në publik nga politikanët, raporton lajmi.net.
“Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), gjatë vitit 2021 janë regjistruar 29 raste të sulmeve, kërcënimeve dhe fjalorit publik denigrues ndaj gazetarëve (në vitin 2020, ka pasur 11 raste të kërcënimeve dhe ngacmimeve jo-fizike dhe 4 raste të sulmeve fizike kundër gazetarëve). Në vitin 2022, deri në 27 qershor janë shënuar 5 raste të denigrimit publik kundër gazetarëve, më së shumti nga zyrtarë të lartë publikë… Sipas AGK-së ka pasur shtim të deklaratave denigruese të bëra nga politikanë kundër medieve, duke rrezikuar sigurinë e gazetarëve dhe duke provuar të ulin besimin në raportimet gazetareske”, thuhej në raportin e Komisionit Evropian.
Kjo qasje e Kurtit vjen një ditë pasi SHBA-ja dhe BE-ja kërkuan në të njëjtën ditë zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se është zotim i Kosovës në Bruksel.
Në raportin e Komisionit Evropian të prezantuar dje, u kërkua që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e kaluara mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshme me Serbinë”, u tha në raportin e KE-së.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, në anën tjetër ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një zotim i bërë në marrëveshjen e Brukselit, që duhet të zbatohet.
Po ashtu, nga ana tjetër, shefi i misionit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, shuajti optimizmin e Qeverisë Kurti për aplikim në BE. Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian para se të aplikojë për statusin e vendit kandidat.
“Neni 49 është mjaft i qartë dhe thotë që Këshilli vendosë në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me aplikimin. Ajo që do të sugjeroja unë është që qeveria duhet të konsultohet për këtë çështje me të gjitha vendet anëtare, më 27 vendet anëtare të BE-së dhe pastaj të marrë një vendim pas këtyre konsultimeve, natyrisht që ne mund të këshillojmë por vendimi është i Këshillit ata vendosin dhe ky është teksti i nenit 49 të traktatit”, deklaroi ai. /Lajmi.net/