Ligji i ri për Dhomat e Specializuara: Çfarë ndryshon dhe çfarë pritet të ndodhë me rastet në Hagë?

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje Ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ndryshimet e miratuara prekin disa nga elementet kryesore të funksionimit të Speciales, përfshirë juridiksionin, periudhën kohore të mandatit, lartësinë e dënimeve, vendin ku do të vuhet dënimi dhe mundësinë e faljes nga…

Lajme

07/10/2026 13:26

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje Ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ndryshimet e miratuara prekin disa nga elementet kryesore të funksionimit të Speciales, përfshirë juridiksionin, periudhën kohore të mandatit, lartësinë e dënimeve, vendin ku do të vuhet dënimi dhe mundësinë e faljes nga Presidenti i Kosovës.

Ligji i ri parasheh ngushtimin e juridiksionit të Speciales, shkurtimin e periudhës kohore që mbulohet nga mandati i saj, uljen e dënimit maksimal nga burgimi i përjetshëm në 15 vjet, transferimin në Kosovë të rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e saj, si dhe mundësinë që dënimet të vuhet në institucionet korrektuese të Kosovës.

Çfarë është Gjykata Speciale dhe çfarë bën sot?

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë një gjykatë e krijuar me ligj të Kosovës, por me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë dhe me seli në Hagë. Ato u ngritën për krimet e pretenduara në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, që trajton trajtimin çnjerëzor të njerëzve dhe trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.

Mandati i Speciales, aktualisht përfshin krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe disa vepra kundër administrimit të drejtësisë, për periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Dënimi maksimal është burgim i përjetshëm.

Por, çfarë parasheh ligji i ri?

Qëllimi i këtij ligjit është sqaruar në nenin 1. Aty thuhet se është që “…të kufizojë juridiksionin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar ekskluzivisht në veprat penale specifike të përcaktuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dok. 12462, si dhe të përcaktojë procedurën për transferimin e detyrueshëm të të gjitha procedurave të tjera tek gjykatat e rregullta të Republikës së Kosovës”.

Ligji synon “të parandalojë degradimin institucional të Dhomave të Specializuara në një gjykatë të jashtëzakonshme, gjë që ndalohet sipas nenit 103(7) të Kushtetutës”. Synon edhe “të riafirmojë epërsinë institucionale dhe përgjegjësinë parësore të gjykatave të rregullta vendore”.

Ndryshimet kryesore

Juridiksion në më pak vepra.

Sipas këtij ligji, Specialja do të ketë juridiksion vetëm për dy grupe veprash: nxjerrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore, dhe vrasjet, torturën ose trajtimin çnjerëzor që lidhen drejtpërdrejt me to.

Neni 2 e thotë shprehimisht se gjithçka tjetër del jashtë mandatit të Speciales.

“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë juridiksion lëndor (ratione materiae) mbi krimet e përgjithshme të luftës, krimet kundër njerëzimit ose dhunën politike të kryer në Kosovë që nuk përbëjnë element të drejtpërdrejtë dhe përbërës të akteve specifike…”.

Aty theksohet se as “konteksti më i gjerë politik” dhe as “konflikti i armatosur i përgjithësuar” nuk japin juridiksion sipas këtij Ligji.

Kufizohet periudha kohore

Gjykata Speciale ka mandat për të hetuar raste nga janari i vitit 1998. Por, sipas ligjit të ri, fillimi zhvendoset në 1 korrik 1999.

Sipas nenit 3, Specialja do të ketë juridiksion “…vetëm mbi krimet e përcaktuara në nenin 6(1) të këtij Ligji që kanë ndodhur ndërmjet 1 korrikut 1999 dhe 31 dhjetorit 2000”.

Prag i dënimit

Në ligj parashihet që burgimi maksimal do të ishte 15 vjet, kundrejt burgimit të përjetshëm që e ka aktualisht.

Në Nenin 15 thuhet se “…dënim me burgim në kohëzgjatje jo më të gjatë se pesëmbëdhjetë (15) vjet, në përputhje me parimin e zbatimit të ligjit më të favorshëm (lex mitior)”.

Dënimet do të vuhehen në institucionet korrektuese të Kosovës, dhe të dënuarit do të mund të falen nga Presidenti i Republikës, ndryshe nga seç parasheh ligji aktual.

“Dënimi me burgim i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara vuhet në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. Institucioni konkret korrektues caktohet nga autoriteti kompetent i Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e dënimit, kushtet e sigurisë dhe rrethanat individuale të personit të dënuar”, thuhet në nenin 16.

“Pavarësisht dispozitave të Ligjit nr. 03/L-101 për Faljen, personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara mund të jenë subjekt i faljes individuale nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Kriteret, kushtet dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin nr. 03/L-101 për Faljen zbatohen edhe për personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në nenin 17.

Si do të funksiononte në praktikë?

Çdo rast do të kalonte një provë juridiksioni. Në çdo fazë të procedurës, një gjyqtar ose panel shqyrton nëse akuzat bien brenda mandatit. Vendimi merret brenda 15 ditëve, ose 30 me seancë dëgjimore. Nëse jo, sipas nenit 6, paneli “…deklaron menjëherë inkompetencën e vet dhe urdhëron pushimin e procedurës pranë Dhomave të Specializuara”.

Për secilin person dhe secilën pikë të akuzës, gjykata duhet të provojë, sipas nenit 13, “lidhjen konkrete, të drejtpërdrejtë dhe të nevojshme” me pretendimet e Raportit të Këshillit të Evropës.

Lëndët që dalin jashtë pretendimeve të raportit, transferohen në Kosovë.

Gjykimet kalojnë te gjykatat në Kosovë, hetimet te Prokuroria Speciale e Kosovës.

Autoriteti pranues, sipas nenit 7, “vendos në mënyrë të pavarur për juridiksionin, statusin procedural të aktakuzës, përgjegjësinë penale, pranueshmërinë e provave”, ndërsa transferimi “nuk përcakton paraprakisht vlerën provuese, ligjshmërinë ose pranueshmërinë” e materialeve.

Çfarë ndodh me rastet që janë duke u zhvilluar aktualisht në Speciale?

Rastet në zhvillim vazhdojnë sipas ligjit të vjetër deri në aktgjykimin e Panelit të Apelit.

Pas tij, sipas nenit 26, ankesat shkojnë në Prishtinë dhe, sipas nenit 26, “Paneli i Gjykatës Supreme i Dhomave të Specializuara nuk ka juridiksion mbi këto raste”.

Rastet kalojnë vetëm Gjykata Supreme e Kosovës, e cila ka juridiksion ekskluziv për të vendosur për proceduarat e mëtejshme.

“Nga data e nxjerrjes së aktgjykimit nga Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara, ky ligj zbatohet për çdo procedurë të mëtejshme. Çdo ankesë, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë ose mjet tjetër juridik kundër këtij aktgjykimi paraqitet dhe shqyrtohet nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës në Prishtinë, e cila ka juridiksion ekskluziv për të vendosur për procedurat e mëtejshme”, thuhet në nenin 26.

Iniciativa për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u ndërmor pasi që Gjykata Speciale, në një vendim skandaloz, dënoi ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 81 vjet burgim.

Ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, e dënoi me 25 vjet burg, ish-Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, po ashtu me 25, ish-Kryetarin tjetër të Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vjet, ndërsa ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi me 13 vjet.