Lajçak paralajmëron vazhdimin e dialogut në fillim të shtatorit

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha të sot se ka biseduar përmes takimeve të veçanta me zëvëndëskryministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe Drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq për përgatitjet e takimit të rradhës në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

26/08/2021 19:47

Sipas Lajçakut, diskutimet kanë qenë thelbësore për takimin mes delegacioneve që pritet të zhvillohet në fillim të shtatorit.

Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian zhvillojnë takime në dy nivele, atë të grupeve negociatore të cilat i udhëheqin, Bislimi dhe Petkoviq, dhe takimet në nivel të udhëheqësve të vendeve, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Bisedimet kanë të bëjnë me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhte problemet e hapura mes dy vendeve.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit është mbajtur në muajin korrik, por nuk ishte arritur asnjë përparim.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, pati thënë pas takimit se ai ka propozuar një deklaratë të paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por, sipas tij, ajo u refuzua “ende pa u lexuar”.

“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, kishte thënë Kurti.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se pala kosovare gjithmonë kushtëzon me “kritere të reja politike”.