“Laborator për kultivim të kanab*sit”| Aktakuzë ndaj tre personave për kultivim të kanabisit dhe armëmbajtje pa leje në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për kultivim të kanabisit në një shtëpi me qira, posedim të paautorizuar të armëve dhe ndihmë në asgjësimin e bimëve narkotike. Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy të pandehurit me inicialet I.M. dhe M.M. akuzohen se, në bashkëkryerje, kanë kultivuar bimën narkotike “Cannabis Sativa”…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për kultivim të kanabisit në një shtëpi me qira, posedim të paautorizuar të armëve dhe ndihmë në asgjësimin e bimëve narkotike.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy të pandehurit me inicialet I.M. dhe M.M. akuzohen se, në bashkëkryerje, kanë kultivuar bimën narkotike “Cannabis Sativa” në një shtëpi me qira në Prizren, me qëllim të prodhimit të narkotikëve.
Sipas aktakuzës, I.M. kishte financuar këtë veprimtari duke blerë pajisjet dhe materialet e nevojshme, ndërsa M.M. ishte marrë me instalimin e pajisjeve, mbjelljen dhe kultivimin e bimëve.
Gjatë një kontrolli të realizuar më 2 prill 2026, në shtëpi është zbuluar një laborator i pajisur për kultivimin e kanabisit. Aty janë gjetur pajisje për ndriçim, ngrohje e ventilim, preparate për rritjen e bimëve, pompa, pajisje matëse, si dhe shënime me udhëzime për kultivimin e tyre.
Në mesin e gjësendeve të sekuestruara ishin edhe 706 vazo për kultivimin e bimëve narkotike, prej të cilave 450 janë gjetur brenda shtëpisë, ndërsa 256 të tjera në një automjet të parkuar në oborr.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë kontrollit janë marrë edhe mostra të bimëve, të cilat pas ekspertizës kanë rezultuar pozitive për përmbajtje të kanabisit.
Po ashtu, në një deponi në Prizren janë gjetur mbetje të djegura të bimëve narkotike, të cilat dyshohet se M.M. kishte tentuar t’i asgjësonte.
Përveç veprës penale të kultivimit të bimëve narkotike, I.M. dhe M.M. akuzohen edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve. Gjatë kontrolleve, në shtëpinë e I.M. janë gjetur 27 fishekë, ndërsa në shtëpinë e M.M. një pistoletë e konvertuar në armë zjarri, me karikator të zbrazët dhe dy fishekë.
Ndërkaq, personi i tretë me inicialet K.S. akuzohet për ndihmë ndaj kryerësve pas kryerjes së veprës penale. Sipas Prokurorisë, më 31 mars dhe 1 prill 2026, ai kishte ndihmuar M.M. në bartjen e thasëve me bimë “Cannabis Sativa” nga shtëpia drejt deponisë, me qëllim të asgjësimit të tyre.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Të pandehurit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë. /Lajmi.net/