Kuvendi në Shqipëri e mbyll vitin me tensione- çfarë ndodhi në seancën me tym, sharje e zhurmë

Në Kuvendin e Shqipërisë sot është zhvilluar seanca e fundit plenare për këtë vit. Ende pa nisur, përplasjet filluan. Deputetët demokratë e bllokuan foltoren dhe karriget e ministrave. Me tensione nisi e me tensione mbaroi. Çka ndodhi sot atje? Salla e Kuvendit të Shqipërisë është kthyer në kaos këtë të enjte ku u betua Avokati…

Lajme

18/12/2025 13:44

Në Kuvendin e Shqipërisë sot është zhvilluar seanca e fundit plenare për këtë vit. Ende pa nisur, përplasjet filluan. Deputetët demokratë e bllokuan foltoren dhe karriget e ministrave. Me tensione nisi e me tensione mbaroi. Çka ndodhi sot atje?

Salla e Kuvendit të Shqipërisë është kthyer në kaos këtë të enjte ku u betua Avokati i ri i Popullit, Endrit Shabani dhe u votuan vetëm nga mazhoranca aktet normative.

Pas betimit, ai u largua nga salla duke përshëndetur me dorë dhe puthje deputetët e opozitës.

Kandidatura e tij u dërgua në Parlament me firmat e deputetëve të opozitës, të cilët më pas u tërhoqën, por mazhoranca nuk e pranoi kërkesën e PD-së për tërheqjen nga firmat dhe u zgjodh si Avokat i Popullit me votat e mazhorancës.

Mediat në Shqipëri raportojnë se sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka hedhur ujë në drejtim të njërit prej puonjësve të Gardës. Ai u përjashtua nga salla, gjë që e rëndoi situatën pasi deputetët e PD-së u rreshtuan te vendi i ministrave duke u shtyrë.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi ndërprerje të diskutimeve dhe kalimin në votim.

“Me shpresën se do shkoni nga 300 në 400 protestues, dhe në respekt të plotë të procedurës, në pamundësi për të zhvilluar diskutimet, kemi pasur sot në rend dite plot çështje të rëndësishme, duket se opozita nuk do, ju lutem të kalojmë në votim”, tha ai.

Dhe kështu ndodhi, u kalua direkt në votimin e akteve, mes zhurmës dhe tymit të krijuar në sallë.

Situata jashtë Kuvendit qe e njëjtë me atë në sallë, ku u dogjën fibrat e transmetimit për të gjitha televizionet.

Deputetët ishin thuajse të gjithë në këmbë dhe salla është mbushur me tym prej flakadanëve.

Sali Berisha, jashtë parlamentit, tha se kjo qeveri mban të lirë terroristët, njerëz që kryejnë pengmarrje dhe vjedhje marramendëse. Sipas tij, motoja e mazhorancës është “vidh e ik”.

“Motoja e tyre është vidh dhe ik. Terroristët jetojnë të qetë, biles me mbrojtje shtetërore. Rama ndodhej në zgjedhjen më të vështirë të jetës së tij, mes Lindës dhe Belindës. Mbrëmë ka vendosur të mbajë Lindën dhe të lëshojë Belindën. Parlament me ata që zbatojnë ligjin, vidh e ik, nuk ka”, deklaroi Berisha.

Ndërsa në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se “e sotmja nuk është një lajm i ri”.

“Asgjë e re nga fronti i lindjes”, u shpreh ai.

Kujtoi dhjetorin e 8 viteve më parë, duke thënë se “Kuvendi kishte të njëjtën pamje”.

“Sa herë Kosova ka një festë, Saliu e bën një dëm në Shqipëri”, tha ai.