Kuvendi me 61 vota miraton shmangien nga afatet procedurale për Projektligjin kundër pastrimit të parave
Kuvendi i Kosovës ka miratuar shmangien nga afatet procedurale për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Propozimi, i paraqitur nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në emër të gjashtë deputetëve, ka marrë 61 vota për, pa asnjë votë…
Lajme
Kuvendi i Kosovës ka miratuar shmangien nga afatet procedurale për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Propozimi, i paraqitur nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në emër të gjashtë deputetëve, ka marrë 61 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.
Me këtë vendim, Kuvendi mund ta shqyrtojë në lexim të dytë gjatë seancës së 15 tetorit Projektligjin nr. 11/L-017 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-096 për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Sipas propozimit, shmangia nga afatet procedurale është kërkuar në mbështetje të nenit 123, paragrafët 1 dhe 2, të Rregullores së Kuvendit, lidhur me afatet e përcaktuara në nenin 52, paragrafi 1, dhe nenin 76, paragrafi 3.
Komisioni për Buxhet, në cilësinë e komisionit përgjegjës, e ka shqyrtuar projektligjin dhe i ka rekomanduar Kuvendit miratimin e tij me amendamentet e propozuara.
Ndërkaq, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka vlerësuar se projektligji, së bashku me amendamentet e propozuara, është në pajtim me Kushtetutën.
Miratimi i shmangies nga afatet procedurale i hap rrugë shqyrtimit të dytë të projektligjit në seancën e sotme, ndërsa ky votim nuk përbën vetvetiu miratim përfundimtar të ligjit. /Lajmi.net/