Kuvendi i Kosovës po cënon demokracinë, duke ndikuar gjyqësorin (Video)

Në demokraci, pushtetet janë të ndara. Por, Kuvendi i Kosovës, si bazamenti i demokracisë në vend, po e cënon atë duke tentuar që të ndikojë pushtetin e pavarur të gjyqësorit.

Lajme

01/02/2015 22:41

Në Kosovë, sistemi gjyqësor vazhdon të përballet me numër të madh çështjesh të pazgjidhura por edhe me besimin e ulët të qytetarëve.
 
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, thotë për Zërin e Amerikës se reformat e vazhdueshme në sistemin e drejtësisë do të krijojnë mundësi për tejkalimin e sfidave me të cilat vazhdon të përballet ky sektor.
 
Ai ka thënë se sfidë e gjyqësorit mbetet ndikimi nga Parlamenti i Kosovës. 
“Sistemi gjyqësor është pushteti i tretë, dhe jo një agjenci që e ka themeluar Kuvendi. Ky është një dallim i madh, por atje po keqkuptohet sepse po konsiderojnë se Kuvendi na ka themeluar dhe se ne njëfarë mënyre duhet t’i raportojmë Kuvendit për punën tonë. I kemi këto probleme, të cilat unë i konsideroj ndikim të drejtpërdrejtë”, ka thënë Peci.
 
Ai thotë se gjykatësit vendas tani po përballen edhe me çështjet gjyqësore të terrorizmit dhe se sipas tij lufta kundër këtij fenomeni deri më tani ka qenë i vështirë për shkak edhe të mungesës së një ligji për trajtimin e këtyre rasteve.