Kuvendi i Kosovës miraton Rezolutën për Gjykatën Speciale – LDK nuk voton fare!
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Rezolutën që kërkon angazhim dhe respektim të ligjit dhe drejtës ndërkombëtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar. Kjo rezolutë është votuar si pikë e parë, me kërkesë të AAK-së, pasi që kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj nuk mund të jetë pjesë e…
Lajme
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Rezolutën që kërkon angazhim dhe respektim të ligjit dhe drejtës ndërkombëtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Kjo rezolutë është votuar si pikë e parë, me kërkesë të AAK-së, pasi që kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj nuk mund të jetë pjesë e seancës më vonë dhe dëshiroi të ishte pjesë e votimit të kësaj rezolute, transmeton lajmi.net.
LDK nuk votoi fare, pasi nuk iu plotësua kërkesa që t’i shtohet pika për vrasjet e pasluftës.
Rezoluta është votuar me vota 90 për, 1 kundër dhe asnjë abstenim.
Kjo është draft rezoluta me pikat drejtuar Gjykatës Speciale:
- KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.
- KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
- KËRKON nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara, përgjegjësia ekskluzive e të cilit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë në ushtrimin e këtij funksioni, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe aktet e standardeve ndërkombëtare lidhur me këtë funksion.
- INKURAJON të gjitha shtetet demokratike, përfshirë ato financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të bashkohen në thirrjen tonë për respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm – standarde këto që burojnë nga tradita kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike dhe akteve e rekomandimeve të miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë, por pa u kufizuar, nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
- INKURAJON mekanizmat monitorues për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, për monitorim të shtuar të pajtueshmërisë së funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në procese gjyqësore dhe raportimin e shkeljeve të evidentuara.
- KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin për sigurimin e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, në mbështetje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.
- KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin e plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shenjtërisë së historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.
Një rezolutë të tillë e ka miratuar më herët edhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë./lajmi.net/