Kuvendi i jashtëzakonshëm tek Aleanca për Shqiptarët, shkarkohet Arben Fetai që raportohej se po përkrahej nga Kurti

Në kuvendin e jashtëzakonshëm të Aleancës për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, u shkarkua kreu i kuvendit, Arben Fetai dhe në vend të tij është zgjedhur Nazim Taipi Mbledhja e kuvendit është iniciuar nga dy të tretat e kuvendarëve, ndërsa vjen pak ditë pasi një pjesë e funksionarëve të lartë të kësaj partie kundërshtuan vendimin…

Lajme

24/05/2025 17:35

Në kuvendin e jashtëzakonshëm të Aleancës për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, u shkarkua kreu i kuvendit, Arben Fetai dhe në vend të tij është zgjedhur Nazim Taipi

Mbledhja e kuvendit është iniciuar nga dy të tretat e kuvendarëve, ndërsa vjen pak ditë pasi një pjesë e funksionarëve të lartë të kësaj partie kundërshtuan vendimin e Taravarit për të dalë nga qeveria dhe koalicioni VLEN, raporton AlsatMaqedoni, përcjell KosovaPress.

“Edhe disa anëtarë të kryesisë i përjashtuam të cilët tashmë publikisht deklarohen kundër Aleancës për Shqiptarët, anëtarët e kryesisë që u përjashtuan janë gjithsej 8 nga 46 anëtarë të kryesisë qendrore, kështu që vazhdon kryesia me pjesën dërrmuese të anëtarëve, kuvendi me shumicë absolute në kuvendin qendror. Për Mimoza Musën nuk sollën vendim për shkak se ajo nuk ishte definuar mirë, mbetet me Aleancën për Shqiptarët, mbetet me VLEN-in, nuk e kemi porosinë e qartë”, tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Taravari njoftoi se në mbledhjen e kuvendit, është konfirmuar vendimi i partisë për dalje nga qeveria dhe për të garuar e vetme në zgjedhjet lokale të tetorit. Ai përsëriti se në zgjedhjet lokale do të bashkëpunojë me BDI-në dhe VLEN-in në Manastir, Kërçovë, Bërvenicë, Çashkë, Prespë, Butel.

“Vetëm kështu mund t’u ndihmojmë shqiptarëve dhe është interes shqiptar, në komunat e tjera e shohim…Nuk përjashtojmë bashkëpunim me asnjë parti politike opozitare”, tha Taravari.

Për pjesën tjetër të Aleancës për Shqiptarët, e cila mbetet në koalicionin VLEN dhe në qeveri, vendimi i Taravarit është në kundërshtim me statutin e partisë dhe jo legjitim. Latif Arifi ditë më parë për Alsat tha se pjesa më e madhe e anëtarësisë së Aleancës për Shqiptarët nuk i është bashkuar Taravarit dhe se kanë siguruar një të tretën e nënshkrimeve të kuvendarëve.

Javët e fundit u raportuar se Arben Fetai po përkrahej nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti që të bëhej lider i koaliciont VLEN, pas dorëheqjes së Taravarit nga pozita e ministrit në qeverinë e Maqedonisë së Veriut.