Kuvendi i hapur për një ditë
Kuvendi i Kosovës hapi dyert për nder të Ditës së Demokracisë për qytetarë të interesuar. Nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, thotë se duhet të institucionalizohet bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile në Kosovë.
Lajme
Fatlinda Bajrami po i shihte të hënën “live” njerëzit të cilët ka mundësinë t’i shohë vetëm përmes ekranit.
Në paraditën e 16 shtatorit, ajo bashkë me shokët e shoqet e Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë hynë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës për t’u takuar me deputetët, vendimet e të cilëve ndikojnë në jetën e saj.
Vizitën në Kuvend ia kishte mundësuar një nismë e Misionit të OSBE’së në Kosovë për nder të Ditës së Demokracisë.
“Unë personalisht e ndjek Kuvendin, më intereson ta ndjek, por nuk e ndjek gjithmonë”.
“Demokracia për mua është liria e të shprehurit. Kemi fat që kjo demokraci po zhvillohet dita –ditës edhe në vendin tonë”.
Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka hapur dyert për qytetarët. Në kuadër të aktiviteteve për të shënuar këtë ditë, u mbajt dhe panairi i Shoqërisë Civile.
Nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, thotë se duhet të institucionalizohet bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile në Kosovë.
“Kjo nismë do të kurorëzohet me përpilimin e një deklarate të përbashkët për bashkëpunim në mes të Kuvendit edhe shoqërisë civile, e cila së shpejti do t’i paraqitet Kuvendit të Republikës së Kosovës, për t’u miratuar si Deklaratë”.
“Por synimi ynë duhet të jetë që jo vetëm Kuvendi, por të gjitha institucionet publike të Republikës së Kosovës t’i kthejmë në institucione transparente, brenda të cilave mundësohet një pjesëmarrje sa më gjithëpërfshirëse e organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të ndryshme shoqërore dhe e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, race, besimi, gjinie”.
Ndërkaq drejtoresha për demokratizim në OSBE, Elaine Conkievich, tha se e çmon këtë nismë të Kuvendit të Kosovës, e cila, sipas saj, forcon më tej bashkpunimin e shoqërisë civile me institucionet qendrore.
“OSBE për një kohë të gjatë ka mbështetur ndërtimin e demokracisë si në nivelin qendror dhe në atë lokal. OSBE-ja është e zotuar që ta forcojë më tej këtë bashkpunim që ka me Kuvendin e Kosovës, por dhe me shoqërinë civile, në mënyrë që të krijohet një modalitet i përbashkët i punës.”