Kuvendi do ta miratojë me mënyrë të përshpejtuar Buxhetin 2015 (Video)

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot kanë votuar, që miratimi i Buxhetit për vitin 2015 të bëhet në mënyrë të përshpejtuar. 

Lajme

22/12/2014 10:39

Me shumicë votash, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë votuar që Buxheti i Kosovës për vitin 2015 të miratohet në mënyrë të përshpejtuar, dhe me shmangie nga rregullorja e Kuvendit. 

Kryeministri, Isa Mustafa, në paraqitjen në Kuvend të projektbuxhetit për vitin e ardhëm, ka thënë se miratimi i Buxhetit për vitin 2015 do të bëhet në mënyrë të shpejtë për shumë arsye, sepse detyrohemi që ai të miratohet brenda këtij viti, që të fillohet me punë, pa vonuar në fillim të vitit të ardhshëm. 

Mustafa ka thënë se parashohin rritje ekonomike prej 4 %.

Ndërsa, sipas tij, kontributin më të madh do ta kenë investimet, duke përfshirë edhe ato private.

Ai ka thënë se sektori privat do të pres nga Qeveria e Kosovës që të krijojë ambient të favorshëm për veprimtarinë e tyre.

Investimet private sipas kryeministrit Mustafa, gjatë vitit të ardshëm pritet të rriten me 8.6%.

“Politikat tona do t’i orientojmë drejtë rritjes së investimeve, dhe vetëm kështu do të mund të rrisim prodhimin vendor, duke rritur eksporteve dhe uljen e importet”, ka thënë ndër të tjera kryeministri i vendit. (lajmi.net)

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se projektbuxheti është i trashëguar nga qeveria e kaluar, pasi koha shumë e shkurtër nuk ka lejuar që të ndërhyhet për ndonjë ndryshim eventual nga qeveria aktuale.