Kushtrim Kokalla: Naim Murseli një vit më kishte lutur ta vras Liridonën

Prokuroria Themelore në Prishtinë sot ka ngritur aktakuzë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Të akuzuar në këtë rast janë Naim Murseli, Kushtrim Kokalla, Grantit Plava dhe Tom Dodaj. Në lidhje me këtë rast tashmë aktakuza është dorëzuar në gjykatë. Kurse sipas aktakuzës që “Betimi për Drejtësi” e ka siguruar, Kokalla më 1 dhjetor…

Lajme

15/01/2025 11:40

Prokuroria Themelore në Prishtinë sot ka ngritur aktakuzë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Të akuzuar në këtë rast janë Naim Murseli, Kushtrim Kokalla, Grantit Plava dhe Tom Dodaj.

Në lidhje me këtë rast tashmë aktakuza është dorëzuar në gjykatë.

Kurse sipas aktakuzës që “Betimi për Drejtësi” e ka siguruar, Kokalla më 1 dhjetor 2024 ka deklaruar në Polici se nga viti 2019 është pjesëtar i FSK-së. Tha se Naim Murselin e ka djalë të dajës dhe të hallës, ndërsa Granit Plavën e ka bashkëfshatar dhe se njihen qysh kur kanë qenë të vegjël.

Kokalla kishte deklaruar se para një jave kishte qenë tek Murseli në shtëpi dhe më pas ishin takuar me Granit Plavën. Atë natë, tha se i kishte shkruar Murseli dhe ia kishte kërkuar numrin e Plavës dhe se pas 2-3 ditësh ishin takuar ku Murseli ia kishte dhënë Kokallës 300 euro për këstin e kredisë për të cilën thotë se ka hyrë për Murselin dhe që edhe Plavës ia kishte dhënë 500 euro. Për këto të fundit, ka thënë se s’kishte ide pse iu dhanë atij.

Sipas Kokallës, më 29 nëntor 2023 kishte biseduar me të akuzuarin Murseli e që sipas tij në atë bisedë Murseli i ka kërkuar të takohen dhe u takuan rreth orës 9:30, ku i kishte thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, që sipas Kokallës kishte të bënte me vrasjen e Liridonës. Ai tha se rreth një vit i akuzuari Murseli e kishte lutur që ta kryente vrasjen.

“Naimi që afër një vit mua më ka lutur që të e kryej këtë vrasje unë. Atëherë unë i kam thënë nuk vjen në shprehje që ta bëjë këtë punë unë dhe mos më thuaj më asnjëherë”, thuhet të ketë deklaruar i akuzuari Kokalla.

Sipas Kokallës, Murseli i kishte thënë se do ta thërras Granitin dhe do të takohej me të dhe se sipas tij më pas nuk ka pasur më asnjë kontakt dhe tek në mbrëmje kur e kishte thirrë një shok për ta pyetur se a i ka parë lajmet, e kishte kuptuar për vrasjen e Liridonës.

Gjithnjë sipas deklaratës së dhënë nga Kokalla, me të kuptuar këtë lajm kishte marrë familjen dhe kishin ardhur në Prishtinë në stacion policor dhe se me përfundimin e procedurave policore, për të mos e lënë vetë, kishte shkuar në hotel me Murselin.

Kokalla ka deklaruar se me tu futur në dhomën e hotelit, i akuzuari Murseli i është drejtuar me fjalët “e kreva këtë punë”.

Kokalla ka deklaruar se e ka menduar që të lajmërojë rastin, por se ka qenë i shokuar dhe i frikësuar për familjen e vet nga Naimi. Tha se pas varrimit, panë Policinë duke shkuar tek shtëpia e Plavës, e se i akuzuari Murseli e kishte pyetur se a ka armë, por që Kokalla i kishte thënë se të njëjtën e ka në kasafortë dhe nuk e ka me vete.

Kokalla tutje ka deklaruar se Murseli i ka ofruar para për këtë rast, por se nuk ka pranuar asnjëherë as para dhe as pas rastit.

Kokalla më 24 janar 2024 ka qenë i ftuar në Prokurori për të dhënë deklaratë, por ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje.